Meshaal: Hamasi kërkon t’i jepet fund bllokadës izraelite në Gaza

Mos i humb

Ish-shefi i lëvizjes palestineze Hamas, Khaled Meshaal, tha se kjo lëvizje ka kërkuar t’i jepet fund bllokadës 11-vjeçare të Izraelit në Rripin e Gazës pa u përfshirë në negociata direkte me Izraelin.

“Izraeli nuk do të na e dorëzojë tokën dhe sovranitetin përderisa nuk është e detyruar ta bëjë këtë”, tha Meshaal në një intervistë për televizionin Al Jazeera.

Izraeli ka vendosur rrethim në Rripin e Gazës në vitin 2006 pasi Hamasi fitoi të drejtën e qeverisjes në zgjedhje parlamentare palestineze.

Një vit më pas, Izraeli shtrëngoi bllokadën pasi Hamasi mori kontrollin e Gazës nga grupi rival Fatah pas një konflikti vdekjeprurës.

Bllokada izraelite ka paralizuar jetën dhe ka dobësuar ekonominë e enklavës bregdetare, duke privuar dy milionë banorët e saj nga shumë artikuj elementarë.

Në javët e fundit, Egjipti është përpjekur të arrijë një marrëveshje armëpushimi midis fraksioneve palestineze në Gaza dhe Izrael.

Meshaal tha se Hamasi “nuk synon të kënaq askënd duke thyer parimet e tij”.

“Nëse Hamasi do të kishte dashur të kënaqte Perëndimin, do të na shihje të ulur me zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë dhe kryeqytetet evropiane”, shtoi ai.

I pyetur për pajtimin mes palestinezëve, Meshaal tha se “Hamasi ka bërë gjithçka që është e nevojshme për të arritur pajtimin”.

“Ne kemi ndërmarrë hapa të mëdhenj drejt arritjes së pajtimit, por vëllezërit tanë në Ramallah nuk e shfrytëzuan mundësinë”, tha ai, duke iu referuar Autoritetit Palestinez me bazë në Ramallah dhe grupit rival Fatah.

Në tetor, Hamas dhe Fatah, dy fraksionet kryesore politike të Palestinës, nënshkruan një marrëveshje historike të pajtimit në Kajro me qëllim për t’i dhënë fund ndarjes 11-vjeçare. Megjithatë, marrëveshja e pajtimit nuk ka arritur të japë fryt për shkak të dallimeve të vazhdueshme mes dy fraksioneve./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit