Osmani: Europa do të jetë më stabile me Ballkanin Perëndimor brenda

Mos i humb

Zv/kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, pas brifingut me gazetarët të mbajtur në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Europiane, deklaroi se nëse Maqedonia në qershor fillon bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE), vendi shumë shpejtë do të jetë i gatshëm t’u bashkangjitet vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor në drejtim të gadishmërisë drejt anëtarësimit.

Brifingu me gazetarët, ku u diskutuan temat që kanë të bëjnë me proceset integruese evropiane të vendit, gjendja me zbatimin e reformave nga plani qeveritar 3-6-9 dhe informacionet e deritanishme të lidhura me mini-turneun e tij ballkanik, u mbajt dhjetë ditë para shpalosjes së Strategjisë së Komisionit Europian për zgjerimin për Ballkanin Perëndimor.

Osmani bëri të ditur se muajve të fundit ka vizituar Athinën, Tiranën, Beogradin, Prishtinën dhe Sofjen, me qëllim që, siç tha ai, të jenë sa më të koordinuar në përcjelljen e mesazhit të Maqedonisë se “Europa do të jetë më stabile me Ballkanin Perëndimor brenda”.

Ai tha se në Shqipëri dhe Beograd janë dakorduar që të shfrytëzojnë këtë moment historik dhe të bëjnë përpjekje që Ballkani të bëjë hapa konkretë në kuadër të dinamikës kohore, duke përfshirë 2025-ën, vit i cili sipas tij, është target në të cilin do të duhet vendi të bëhet anëtare e BE-së.

“Normalisht, kanë përparësi për momentin Serbia dhe Mali i Zi si vende të cilat kanë filluar veçmë bisedimet, por ne mendojmë se po të fillojmë në qershor me bisedimet për anëtarësim Maqedonia shumë shpejtë do të jetë e gatshme t’u bashkangjitet vendeve tjera në drejtim të gadishmërisë që e kemi drejt anëtarësimit”, deklaroi Osmani.

Sipas zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, në kontestin gjeografik, poltik dhe ekonomik Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe si i tillë duhet të jetë pjesë edhe e familjes europiane.

“Për herë të parë presim që të ketë një dinamikë të caktuar kohore, një përkufizim kohor se kur vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e familjes evropiane. Është e paralajmëruar viti 2020 ose 2025 të jetë viti kur paraprakisht Serbia dhe Mali i Zi duhet të bëhen vende anëtare të BE-së ndërsa në këtë strategji duhet të jepen në një mënyrë sinjalet edhe për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë”, tha Osmani.

Ai poashtu theksoi se Maqedonia ka zhvillime pozitive me Athinën, sa i takon mosmarrëveshjes së emrit mes dy vendeve fqinje./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit