Tropojani mban fjalën e dhënë Veliajt, prish dy ndërtesat pa leje

Mos i humb

Dy ditë më parë i premtoi kryebashkiakut Veliaj se nuk do të bëhej pengesë për zhvillimin e projektit të zgjerimit të “Unazës së madhe” dhe se do ta prishte vet banesën e ndërtuar pa leje.

Sot, Ukë Idriz Çelkolaj nga Tropoja ka mbajtur fjalën dhe ka pranuar që dy objektet e ndërtuara pa leje prej tij, në gjurmën e “Unazës së madhe”, të prishen nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, duke i hapur rrugë vijimit të punës për realizimin e këtij projekti.

Uka ka qenë i pranishëm gjatë momentit të prishjes së dy ndërtesave, ndërsa bëri thirrje për të gjithë të tjerët se, tashmë ka ardhur koha që të mos bëhen më pengesë e zhvillimit të këtij segmenti të unazës dhe të të gjithë Tiranës.

“I dhashë fjalën kryetarit si burrat dhe e mbajta fjalën. I prisha vet këto dhe jam shumë i predispozuar që të zhvillohet Tirana, se po të jetë mirë Tirana do të jemi mirë ne të gjithë”, tha Ukë Idriz Çelkolaj.

Ai u bëri gjithashtu apel banorëve të tjerë të kësaj zone, që të heqin dorë nga aktet jo qytetare dhe të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës, në të mirë të zhvillimit të qytetit.

“S’kemi arsye të dalim kundër projektit, kundër zhvillimit, përderisa kjo është për të mirën e të gjithë komunitetit dhe të gjithë banorëve në Tiranë. Kjo është e vetmja mënyrë që mund të vazhdojmë të punojmë dhe të zhvillohet Tirana. Ky është mesazh për të gjithë njerëzit, të ndërgjegjësohen, të mos pengojnë zhvillimin e Tiranës. Ky është mesazh për të gjithë, sepse është e mirë për të gjithë ne”, theksoi Ukë Idriz Çelkolaj.

Ukë Idriz Çelkolaj ishte pjesë e një përfaqësie të zgjeruar të banorëve të zonës së “Astirit”, që dy ditë më parë u takuan me kryebashkiakun Erion Veliaj, teksa diskutuan mbi mundësitë që rruga të bëhet dhe që familjet që preken nga ky projekt të mund të përfitojnë nga projektet sociale të Bashkisë së Tiranës, ku përfshihet sistemimi në banesa sociale që mund t’i përdorin pa afat, apo edhe dhënia e bonusit të qirasë për 3 vite.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit