
Me rregulloren e re për kërkesat në aspektin e cilësisë së mishit të grirë, përgatitjeve dhe produkteve të mishit, e cila do të hyjë në fuqi më 1 maj të këtij viti, thertoret dhe prodhuesit e mishit në Maqedoninë e Veriut domosdoshmërisht duhet të deklarojnë origjinën e mishit, përmbajtjen e ujit dhe përmbajtjen e përgjithshme të proteinave në mish.
Në një konferencë për mediat në Odën Ekonomike të Maqedonisë (OEM), drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Atanasov, kryetari i grupacionit të përpunimit të mishit në OEM, Goce Trajçev, dhe kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqeedonisë, Maria Lonçar Velkova, informuan për rregullren e re për cilësinë e mishit të grirë dhe produkteve nga mishi.
Zoran Atanasov vuri në dukje se në rregullore sqarohen qartë çështjet që kanë të bëjnë me cilësinë e mishit, me çka krijohet një bazë e shëndoshë për përmirësimin e klimës së biznesit, konkretisht trajtimin e barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në treg.
“Avancimi i mbrojtjes së konsumatorit ka të bëjë me një informimim më të mirë të tyre për atë se çfarë blejnë, duke futur detyrimin e etiketimit të origjinës së mishit përmes informacionit në deklaratë se produkti është marrë nga mishi i freskët ose i ngrirë, përcaktimit të përmbajtjes së proteinave totale dhe përmbajtes së ujit në produkte”, tha Atanasov, duke shtuar se rregullorja është bazë për parandalimin e mashtrimit të mundshëm të konsumatorëve.
Deri më tani, në deklaratat e mishit nuk kishte asnjë informacion mbi përqindjen e ujit, tha Atanasov, sipas të cilit, me shtimin e ujit prodhuesi ka bërë një shpërdorim klasik të konsumatorit, i cili ka paguar mish, ndërsa ka marrë ujë.
Kryetarja e Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Lonçar Velkova, tha se mirëpret rregulloren nga shkaku i reagimeve të shumta të konsumatorëve të cilët janë ankuar për përmbajtjen e ujit dhe të proteinave në mish.


