
Pas pesë viteve punë, sot është bërë mbyllja e projektit “Të Drejtat pronësore në Kosovë-Të arriturat, rezultatet dhe leksionet e mësuara”, i mbështetur nga USAID dhe Ministria e Drejtësisë.
Në bazë të këtij projekti është synuar të arrihet përmirësimi i regjimit të drejtave pronësore në Kosovë, forcimin e sundimit të ligjit, rritja e ekonomisë dhe rritja e investimeve, raporton KosovaPost.
Sipas drejtoreshës së USAID në Kosovë, Lisa Magno, regjistrimi i pronës është tejet i rëndësishëm për çdo qytetarë dhe se mos regjistrimi i saj shkakton shumë pasoja.
“Gjatë një shëtitje me burrin tim në Virgina, na lindi idea që të merremi me këtë projekt të madh, dhe isha unë ajo që e mora vendimin që ky projekt të zhvillohet në Kosovë. Tek ne në Virgina nuk është kjo problem, dhe dua që çdo grua në Kosovë ta ketë përvojën e njëjtë sikur një grua që blen një pronë në shtetin e Virginias. Pse të drejtat e pronës janë shumë të rëndësishme? Kur një person posedon pronë, ata, atë mund ta përdorin si kolaterol dhe mund ta ngrisin veten mbi nivelin e varfërisë, apo nëse duan të marrin kredi mund ta kenë shumë më të lehtë. Pra, prona në emrin tënd mund të ju bëjë shumë gjëra më të thjeshta”, tha Magno, derisa i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të vazhdon ta mbështet këtë projekt edhe më tutje.
“Kërkesa ime e vetme është që Qeveria e Kosovës të vazhdoj ta mbështes këtë projekt. Ne do të qëndrojmë afër jush do të ju mbështetës sepse e dimë se sa e vështirë është. Implementimi i kësaj strategjie do të jetë hap madhor”, tha Magno.
Lidhur me këtë, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se fal punës së Ministrisë ky projekt është bërë i mundshëm dhe se edhe më tutje ministria do ta mbështesë këtë projekt.
“Si rezultat i angazhimit të ministrisë ka qenë pikërisht procedimi i pakove për trashëgimin, ligjin për ndërmjetësim etj… Ne do të vazhdojmë edhe më tutje në implementimin e kësaj strategjie. Jemi duke punuar edhe në ligje të tjera, e njëra prej tyre do të zgjoj debat shumë të madh në vend. Si dy projekte më të mëdha besoj që do t’i japi një përgjigje deri në fund të këtij muaji. Ministria e Drejtësisë do të vazhdoj të qëndroj në partneritet me USAID”, u shpreh Tahiri.

Ndryshe, numri i grave që raportojnë se kanë prona të regjistruara në emër të tyre është rritur që nga fillimi i projektit. Në studimi bazë, 3.8% e grave të anketuara kanë raportuar se kishin prona të regjistruara në emër të tyre. Ndërsa në studimin afatmesëm kjo përqindje ishte 7.5%, dhe në studimin përfundimtar përqindja u rrit në 13.7%. Sipas kësaj ankete katër në pesë të anketuar mendojnë se gratë duhet të kenë të drejtë të barabartë me burrat. /KosovaPost/


