
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka hedhur poshtë vendimin e presidentit francez për ngjarjet e vitit 1915 gjatë epokës së Perandorisë Osmane, duke e quajtur “të pavlefshëm”.
Dje, presidenti francez, Emmanuel Macron, nënshkroi një dekret me të cilin shpalli 24 prillin si një ditë për të përkujtuar të ashtuquajturin gjenocid.
“Ky vendim nuk ka ndonjë vlefshmëri për ne. Ne do të marrim masat e nevojshme për këtë çështje”, tha Çavusoglu në konferencën e përbashkët për media në Amsterdam me homologun e tij holandez, Stef Blok.
Qëndrimi i Turqisë në këtë çështje është se vdekja e armenëve në Anadollin lindor në vitin 1915 ndodhi kur disa prej tyre morën anën e pushtuesit rus dhe u rebeluan kundër forcave osmane. Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi me viktima të shumta.
Turqia refuzon të etiketoj vdekjet si “gjenocid”, por pranon se ka pasur një numër të madh të të vdekurve në të dyja anët. Ajo përshkruan ngjarjet e vitit 1915 si një tragjedi për të dyja palët.
Ankaraja në mënyrë të përsëritur ka propozuar krijimin e një komisioni të përbashkët të historianëve nga Turqia dhe Armenia, përfshirë ekspertët ndërkombëtarë për të trajtuar këtë çështje.


