“Rezultatet e zgjedhjeve në Izrael shkatërruan shpresat për paqe”

Mos i humb

Ekspertët palestinezë të çështjeve politike thonë se rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën të martën në Izrael shkatërruan shpresat për paqe të bazuar në një zgjidhje me dy shtete mes palestinezëve dhe Izraelit.

Ekspertët në prononcimet e tyre për Anadolu Agency (AA) në lidhje me këtë temë thanë se populli izraelit ka bërë zgjedhjen e tij përkrah politikanëve të ekstremit të djathtë dhe vazhdimin e okupimit.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Izraelit, Partia Likud, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ka fituar 36 deputetë në Parlamentin me 120 vende, ndërsa rivali i saj më i fortë, Aleanca “Kaltër e Bardhë” fitoi 35 vende. Numri i përgjithshëm i deputetëve të partive të krahut të djathtë që do të ofrojnë mbështetje për qeverinë e Netanyahut ka arritur në 65.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Saeb Erekat komentoi në llogarinë e rrjetit social rezultatet e zgjedhjeve duke thënë se “Votuesit izraelitë votuan për regjimin apartheid. Vetëm 18 nga 120 deputetët që hyjnë në Parlament mbështesin një zgjidhje me dy shtete”.

“Marrëveshja e Oslos dhe gjithçka tjetër është në rrezik”

Publicisti dhe analisti palestinez Abdulmecid Suveylim, në një deklaratë për AA thotë se “Fitorja e ekstremit të djathtë në zgjedhje do të forcojë sjelljen agresive të qeverisë që do të formojë kryeministri Benjamin Netanyahu, e cila synon të izolojë vendbanimet e palestinezëve, të qeverisë me administratën autonome duke copëtuar një pjesë të madhe të territoreve të Bregut Perëndimor dhe e cila synon të formojë në Gaza një minishtet të shkëputur nga Palestina”.

“Rezultatet tregojnë se nga qyteti i Kudsit nuk ka shanse të flasë dikush për të drejtën e palestinezëve për t’u kthyer në territoret e tyre dhe të drejtat e refugjatëve. Marrëveshja e Oslos dhe gjithçka është në rrezik. Marrëdhëniet palestinezo-izraelite, njohja e Izraelit nga Palestina dhe gjithçka tjetër është në rrezik për shkak të politikës të së djathtës izraelite”, tha Suveylim.

Ai vuri në dukje se qeveria që do të formohet nga Netanyahu do të përpiqet të imponojë zgjidhjen e problemit palestinezo-izraelit në interes të tyre edhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Suveylim thekson se Autoriteti Palestinez duhet t’i japë fund ndarjes mes palestinezëve dhe t’i përmbahet parimeve në mënyrë që t’i kundërvihen këtyre problemeve.

Analisti palestinez për çështje politike Talal Avkel, pasi bëri të ditur se rezultatet e zgjedhjeve reflektojnë që qytetarët izraelitë kanë bërë zgjedhjen në anën e ekstremit të djathtë, tha se “Në fazën e ardhshme, procesi i paqes do të shkatërrohet, ‘Marrëveshja e Shekullit’ do të zbatohet pa pengesa të mëdha dhe ndaj palestinezëve, arabëve dhe vendeve në rajon do t’u imponohen programe”.

“Do të imponohet një zgjidhje me metodën Izrael-SHBA”

Ndërkohë që Ahmed Refik Avad, një publicist palestinez dhe analist politik tha se “Pas formimit të qeverisë, Netanyahu nuk do t’i përmbahet më asgjëje dhe do të fillojë zbatimin e planit të mbylljes së Bregut Perëndimore për Izraelin dhe do të minojë procesin e paqes”.

Ai thotë se janë shkatërruar shpresat për paqe në kuadër të zgjidhjes me dy shtete. “Në marrëdhënien mes palestinezëve dhe izraelitëve, unë besoj se kemi hyrë në një fazë të re që nuk ngjason me Marrëveshjen e Oslos dhe mbetjet e saj”, tha Avad.

“Ka flluar faza e cila imponon një zgjidhje shumë pak se Oslo. Treguesit e saj janë vazhdimi i ndërtimit të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe aneksimi i tyre për Izraelin dhe zbatimi i ‘Marrëveshjes së Shekullit’ në të cilën palestinezët nuk mund të arrijnë asgjë. Kjo është një zgjidhje e imponuar me metodën izraelito-amerikane”, thekson Avad.

Bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Palestinës nuk mundën të rifilloheshin pavarësisht të gjitha përpjekjeve të bëra pasi u ndërprenë në prill të vitit 2014 për shkak të “refuzimit të pranimit të kufijve të vitit 1967 nga Izraeli, të drejtës për kthimin e palestinezëve që janë nënshtruar migrimit të detyruar dhe ligjit për të ndaluar ndërtimin e vendbanimeve hebraike”.

Partitë e krahut të djathtë në Izrael po bëjnë thirrje për aneksimin e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor për Izraelin dhe për vazhdimin e pushtimit të të gjithë qytetit të Kudsit.

“Marrëveshja e Shekullit”

Plani i “Marrëveshjes së Shekullit” i ofruar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump për zgjidhjen e çështjes izraelito-palestineze i cili është pranuar nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjipti, parashikon marrjen e një pjese të territoreve të Sinait për krijimin e shtetit të Palestinës.

Ndërsa sipas një pretendimi tjetër plani përfshin pika kundër palestinezëve ku parashikohet që Kudsi t’i lihet plotësisht Izraelit dhe vazhdimin e pranisë së një pjese të madhe të njësive të vendbanimeve të jashtëligjshme hebreje në Bregun Perëndimor.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit