
Drejtori i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka kërkaur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të arrijnë një debat konstruktiv lidhur me Post Telekomin, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet sot.
Përmes një njoftimi Istrefi ka shkruar se është i bindur se të gjithë se bashku mund të gjejnë një zgjidhje të duhur për Telekomin e Kosovës.
“Meqenëse sot Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme, ftoj të gjithë deputetët që të arrijnë të zhvillojnë debat konstruktiv dhe të reflektojnë pozitivisht rreth gjendjes në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, dhe jam poashtu i bindur se të gjithë së bashku do të mund të gjejmë zgjidhjen e duhur për problemet e grumbulluara, duke u fokusuar racionalisht në strategjinë e daljes”, ka thënë Istrefi.
Istrefi ka thënë se ka njoftuar institucionet e po ashtu edhe kryeministrin e vendit për situatën në Telekom dhe mundësisë së arritjes së një qëndrueshmërie dhe stabiliteti financiar.
“Gjatë këtyre ditëve i kam informuar të gjitha institucionet e vendit, përfshirë Kryeministrin Haradinaj, MZHE-në, Komisionin Hetimor Parlamentar dhe deputetë të partive të ndryshme politike rreth situatës aktuale në Telekomin e Kosovës dhe mundësisë së arritjes së një qëndrueshmërie dhe stabiliteti financiar”, ka thënë Istrefi.
Në fund ai është shprehur se “ Telekomi i Kosovës i ka dhënë shtetit të Kosovës qindra miliona euro në formën e dividendës ndër vite dhe tani ka ardhur koha që kjo ndërmarrje publike të marrë mbështetjen e merituar shtetërore, pasi që është aset strategjik nacional”.


