
Pas publikimit të 10 përgjimeve të reja nga gazeta gjermane “Bild”, kryedemokrati Lulzim Basha doli në një konferecë për shtyp gjatë së cilës kërkoi ndëshkimin një orë e më parë, të atyre që i konsideroi vjedhësit e votave në Dibër.
Ai shtoi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje politike, në rast se nuk ndëshkohen pikërisht këta persona.
“Reagimi arrogant i Edi Ramës dhe bashkëkriminelëve të tij zgjedhorë, me përpjekjet e tyre për ta normalizuar dhe bërë qesharake, ka për qëllim ta mohojë këtë megakrim me shpresë se shpejt do të harrohet. Dua t’i them atij dhe të gjithë të tjerëve. Asgjë nuk do harrohet. Asgjë nuk do të tolerohet. Çdo krim do të ndëshkohet. Rruga drejt normaliteti politik dhe shoqëror në Shqipëri kalon nga nxjerrja e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. Asnjë hap politik, asnjë zgjidhje politike në Shqipëri nuk do të bëhet pa patur në themel të saj ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve. Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave. Kjo kupolë kriminale do të mbajë përgjegjësi për të gjitha vjedhjet dhe krimet që u ka bërë shqiptarëve. Të gjithë anëtarët e saj do të jenë para drejtësisë së pavarur. Ata që nuk e kuptojnë këtë janë naivë.”,- theksoi Basha.
Më tej kryedemokrati, tha se duhet ndalur tani makineria kriminale e drejtuar nga Rama.


