![]()
Shefja ekzekutive e rajonit administrativ Hong Kong të Kinës, Carrie Lam, ka njoftuar se ekstradimi është “projektligj i vdekur”, ndërkohë që protestuesit kërkojnë tërheqjen e plotë të projektligjit të diskutueshëm.
Siç raportojnë mediat lokale, Lam në një konferencë për media tha se “populli nuk duhet të shqetësohet se ne duhet të përdorim disa mjete për të diskutuar përsëri këtë projektligj brenda këtij mandati të legjislaturës”.
Projektligji i propozuar, për të cilin protestuesit besojnë se do të hap një mënyrë të lehtë për ekstradimin e njerëzve në Kinën kontinentale, ka nxitur protesta të dhunshme me javë në qytetin gjysmëautonom të Kinës.
Pas protestave të mëdha, Lam tha se dy javë më parë projektligji ishte pezulluar nga diskutimi në Parlament, megjithatë protestuesit hodhën poshtë vendimin e tij duke kërkuar tërheqjen e plotë.
Javën e kaluar, qindra protestues sulmuan ndërtesën e Parlamentit përderisa vazhduan të kryejnë presion mbi qeverinë për të dëgjuar kërkesën e tyre.
Mbi 15 protestues janë arrestuar dhe shumë të tjerë përballen me akuzat për bashkimin me protestat që u kthyen në të dhunshme.
“Ka ende dyshime të vazhdueshme për sinqeritetin e qeverisë ose për shqetësime nëse qeveria do të rifillojë procesin me Këshillin Legjislativ. Kështu që, unë këtë e përsëris, nuk ka një plan të tillë. Projektligji është i vdekur”, deklaroi Lam.
Megjithatë, grupet protestuese po ashtu refuzuan veprimin e fundit të shefes ekzekutive të Hong Kongut, duke kërkuar tërheqjen e plotë të projektligjit.
Joshua Wong, një aktivist i Hongut dhe sekretari i përgjithshëm i partisë Demosisto, e përshkroi njoftimin e shefes ekzekutive si “një tjetër gënjeshtër për popullin në Hong Kong dhe mediat e huaja”.
“Sepse ligji ende ekziston në programin legjislativ deri në korrik të vitit të ardhshëm”, tha Wong në llogarinë e tij në Twitter.
Wong fajësoi Lam-in se vazhdon të luaj me fjalët duke refuzuar “premtimin e një tërheqjeje formale, pavarësisht thirrjes publike”.
“Carrie Lam është një gënjeshtare e rregullt. Mendoj se çelësi është nëse ajo do të premtojë se nuk do të iniciojë projektligjin përsëri gjatë mandatit të saj. Ajo duhet ta bëjë të qartë atë”, tha ai.
Wong kërkoi nga autoritetet “të ndalojnë ndjekjen e aktivistëve që morën pjesë në protesta”.
“Kërkesa jonë është zgjedhje të lira. Mësuam se qeveria po planifikon të skualifikojë kandidatët përsëri gjatë zgjedhjeve të Këshillit të Qarkut në nëntor. Kundërshtoj fuqishëm shqyrtimin e mëtejshëm politik”, shtoi ai.
Rajoni autonom që është nën kontrollin e Kinës që nga viti 1997 është dëshmitar i protestave që nga fillimi i qershorit kundër masës së qeverisë lokale për të legalizuar ekstradimin në Kinën kontinentale, Makao dhe Tajvan.
Aktualisht, rajoni ka një marrëveshje të ekstradimit me 20 vende, përfshirë SHBA-të dhe Zelandën e Re.
Miliona njerëz kanë marshuar për të ndaluar qeverinë nga kjo. Nën presionin e publikut, qeveria më 15 qershor prolongoi leximin e projektligjit në këshillin legjislativ.
Më herët, policia arrestoi të paktën 13 protestues për disa akuza.


