Sot në Prishtinë u mbajt takimi i Këshillit të 15-të Ministror të Komunitetit të Energjisë ku Republika e Kosovës është kryesuese.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e takimit të Këshillit të 15-të Ministror të Komunitetit të Energjisë tha se Kosova ka arritur një marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, me anë të së cilës do të sigurohet një situatë e qëndrueshme energjetike në Kosovë dhe avancim në krijimin e një energjie të pastër.
Haradinaj tha se ky investim serioz në energji, ndërtimi i termocentralit të ri i cili është bruto prej 500 megavat dhe ka vlerën e investimeve 1 miliard e 300 milionë euro, do të fillojë zbatimin që nga viti i ardhshëm. Ai bëri të ditur se teknologjia e tanishme që përdoret është e vjetër dhe nuk është miqësore me ambientin.
Ai poashtu theksoi se Kosova si palë kontraktuese e Komitetit të Energjisë është e përkushtuar më të gjitha kapacitetet e veta të ketë një rol sa më aktiv në hartimin e politikave dhe masave për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike.
Sipas tij, Kosova do jetë e gatshme për zbatimin e vendimeve të Këshillit Ministror dhe organeve të tjera në kuadër të Traktatit për Themelimin e Komitetit të Energjisë.
“Axhenda e Kosovës për implementimin e MSA-së është e harmonizuar edhe me axhendën e Komunitetit të Energjisë për sektorin e energjisë dhe siç e kam shprehur edhe në takimet në Bruksel, një nga prioritet kryesore të qeverisë që unë drejtoj është zbatimi në kohë i obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje”, deklaroi kryeministri Haradinaj.
Ndërsa, Christopher Jones, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Energji dhe Transport në Komisionin Evropian, në fjalën e tij theksoi se BE-ja është duke e promovuar një vizion të qëndrueshëm, me karbon të ulët dhe një ekonomi të qëndrueshme të energjisë.
Ai tha se Komuniteti i Energjisë është themeluar para më shumë se 10 vitesh dhe në dekadën e fundit ka patur një përgjegjësi dhe mundësi për të ecur përpara duke u ballafaquar me ndryshimet klimatike dhe me transformimin e sektorit global të energjisë.
Jones po ashtu nënvizoi se BE-ja është duke punuar në gjetjen e mundësive të reja në periudhën e tranzicionit global të energjisë, të cilat sipas tij, kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, investimet e mëdha në sektorin e energjisë dhe me krijimin e vendeve të reja të punës.
Ndryshe, Këshilli i 15-të Ministror i Komunitetit të Energjisë, mbledh ministrat përgjegjës për Energji të nëntë Palëve Kontraktuese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë si Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina (BeH), Gjeorgjia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia, Ukraina dhe Bashkimi Evropian.
Komuniteti i Energjisë është një organizatë ndërkombëtare që bashkon vendet nënshkruese të traktatit të komunitetit të energjisë dhe Komisionin Evropian me qëllim që të ndihmojë në procesin e reformave në energji, konform legjislacionit evropian dhe mbështetjen e procesit, me synim të krijimit të një tregu të përbashkët rajonal për energjinë si dhe integrimin e tij në tregun pan-evropian të energjisë./Rtv islam/


