
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në një konferencë për media ka bërë thirrje për takim liderësh, për të cilën ai propozoi që të mbahet të premten, më 19 korrik.
Zaev ftesën e adresoi për kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, dhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ndërsa propozoi që takimi të mbahet në Klubin e Deputetëve, aty ku edhe më herët janë mbajtur takimet e liderëve.
Temë e takimit, sipas Zaevit, duhet të jenë çështjet e rëndësishme shtetërore që ndikojnë edhe në procesin eurointegrues të vendit, siç janë: Kodi Zgjedhor, çështja e Prokurorisë Speciale Publike dhe regjistrimi i popullsisë.
Zaev theksoi se edhe pse raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut ishte i shkëlqyeshëm, nuk duhet ndaluar reformat, për çka siç u shpreh ai, nevojitet konsensus edhe me opozitën.
“Nga ky takim, nga i cili pres që të gjithë të fokusohemi në krijimin e kushteve për hapin e fundit për fillim të negociatave, pres që të dalin propozime për plan aksionar dhe grupe pune në të cilat do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare”, tha Zaev.
Në fund të muajit maj, KE publikoi raportin për Maqedoninë e Veriut i cili rekomandon fillim të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Megjithatë, Këshilli i BE-së vendimin përfundimtar në lidhje me Maqedoninë e Veriut e prolongoi për në tetor.


