
Deklaratave të kryetarit të PSD-së, Shpend Ahmeti se janë të gatshëm që të bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, u janë përgjigjur zyrtarë të partisë së Albin Kurtit.
Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se për një gjë të tillë vendos Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo u shpreh se tani për tani e rëndësishme është që të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Pas kësaj, sipas Nagavcit, do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, për të vendosur për koalicione parazgjedhore.
“Në këtë kohë ajo që duhet të ndodhë është shpërbërja e Kuvendit, që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Për çdo gjë përfshirë edhe koalicionet do të vendos organi më i lartë i partisë, që është Këshilli i Përgjithshëm”, ka thënë ajo për Gazeta Blic.
Nagavci ka folur edhe për mundësinë që të ketë koalicion parazgjedhor mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ashtu siç ka kërkuar kreu i VV-së, Albin Kurti.
Ajo ka thënë se momentalisht e rëndësishme është që të ndryshohet qeverisja në vend, duke thënë se këtë do të mund ta bënte një koalicion mes VV-së dhe LDK-së.
“E rëndësishme po ashtu është që të ketë ndryshim të qeverisjes në Kosovë. Një koalicion mes VV-së dhe LDK-së në këtë kohë është më i duhuri për ta kaluar këtë fazën e rëndë në të cilën ndodhet Kosova. Se a do të ndodhë një gjë e tillë, do të shohim në vazhdim”, ka përfunduar deputetja Arbërie Nagavci.


