
KAMËZ– Gjykata e Tiranës ka caktuar burg për jetë për Vladimir Kurtin, i cili vrau pronarin e një marketi për t’i grabitur xhiron ditore në prill të vitit 2018. Ndërkohë bashkëpunëtoi i tij, Rruzhdi Hoda u dënua me 26 vite burg.
Në dokumentin e plotë të siguruar nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, dy autorët kanë qenë të pranishëm në sallë teksa janë njohur me vendimin ku kanë shfaqur shenja pendese, madje u kanë kërkuar falje familjarëve të viktimës, ku në sallë përballë tyre kanë qenë edhe bashkëshortja dhe vajza e viktimës, Rita dhe Elda Buci.
Mësohet se dy autorët kanë pranuar fajin, madje Hoda ka thënë se nëse do e dinte që ngjarja do shkonte kështu, më mirë të kishte vdekur vetë.
“Jam dakort me mbrojtësin. Jam i tronditur nga ngjarja dhe nëse do e dija që do shkonte situata kështu më mire kisha vdekur vete. I kërkoj falje familjarëve, nuk gjej fjale, dhimbja është shumë e thellë, jam shume i penduar kërkoj falje nga të gjithë”, mësohet të ketë thënë Hoda.
“Unë e pranoj që kam marrë pjesë dhe që jam fajtor, shume gjera s’po bëhen siç janë, dhe prokurorja shumë gjëra që thotë nuk është e vërtete dhe për gërvishtjen besoj ka analiza qe e vërtetojnë dhe udhëtimi i Rrushdiut e ka një pretekst, unë do e mbaj fajin tim por dhe arma ku është, ku ndodhet, dihet që vëllai i Rruzhdiut është dënuar nga gjykata. I kërkoj falje familjareve të viktimës, kërkoj drejtësi”,mësohet të ketë thënë Kurti.

Faksimile e vendimit të gjykatës
Si ndodhi ngjarja?
Para se të futeshin në dyqan, Vladimir ka nxjerrë pistoletën, ndërsa Rrushdiu thikën duke u futur në dyqan. Vladimiri është afruar tek kasa për të marrë lekët, aty ndodhej edhe fëmija i Agim Bucit. Autorët qëlluan Agim Bucin dhe gruan e tij. Pas ngjarjes autorët u larguan me vrap, ndërsa kanë marrë makinën duke u larguar në drejtim të Bovillës duke hedhur maskat.
Pas ngjarjes ata u shoqëruan nga policia, por më pas u liruan. Policia u ngriti një kurth pas shoqërimit, Kurti dhe Hoda u liruan dhe gjatë bisedës telefonike të përgjuar ndërmjet, 28-vjeçari i thotë mikut të tij Hoda“…i fshehe ato se, mua më morën në pyetje…”. Disa minuta më pas të dy u arrestuan nga policia. Vladimir Kurti është një person me precedent penal, pasi më parë është dënuar për vjedhje.

Vladimir Kurti

Rruzhdi Hoda



