
Në një ceremoni të organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, sot në Oborrin e Shkollës së Mesme Profesionale “Bahri Haxha”, është përuruar Parku Diaspora, e cila është financuar me kontribute të diasporës shqiptare nga Kosova që jeton në Suedi.
Me rastin e përurimit të këtij parku, kryetari i Komunës Xhafer Tahiri, tha se ky investim në rregullimin e ambientit dhe infrastrukturës në hyrje të kësaj shkolle, do të kujtohet gjithmonë që është bërë me investimeve të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Suedi. Me këtë rast kryetari Tahiri ka falënderuar edhe njëherë bashkatdhetarët, e në veçanti gratë që përveç kontributit që po japin për ekonominë kosovare, po gjejnë rrugë dhe mundësi të ndihmojnë edhe pushtetin lokal në përmirësimin e infrastrukturës, në këtë rast për nxënësit dhe fëmijët tanë.
Në këtë ceremoni ka folur edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila shoqërohej nga kolegu i saj Naser Rugova. “Ne duhet të punojmë që jo vetëm ta shfrytëzojmë potencialin e diasporës, por edhe ne si shtet ti shfrytëzojmë mekanizmat që duhet të krijohen, e që nuk i kemi tani, që diasporën tonë ta kemi sa më afër”, ka deklaruar deputetja Osmani me rastin e përurimit të parkut në Vushtrri.
Ndërsa protagonistja e krejt këtij aktiviteti, tha se ndjehet mirë që kanë pas mundësi të japin kontribut në rregullimin e këtij parku për shkollën, derisa ka shpjeguar se shoqata e tyre ka jap kontribut edhe në shumë projekte tjera gjithandej Kosovës, e sidomos në përkrahje të grave të prekura nga lufta.
Punimet për rregullimin e Parkut “Diaspora” janë financuar me kontributin e Diasporës shqiptare, konkretisht përmes shoqatës Rrjeti i Grave Shqiptare, “Sveriges Albanska Brudar”, në Suedi.


