Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me sulmin ndaj autokolonës turke dje në Idlib tha se “regjimi nuk duhet të luajë me zjarr”.
Çavuşoğlu ka mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të zhvilluar në Ankara me ministren e Jashtme të El Salvadorit, Alexandra Hill.
Lidhur me sulmin e kryer dje ndaj autokolonës së Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK) në rajonin Idlib të Sirisë, Çavuşoğlu është shprehur se “Regjimi nuk duhet të luajë me zjarr. Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për sigurinë e ushtarëve tanë”.
Pas këtij sulmi vazhdojnë kontaktet në të gjitha nivelet me autoritetet ruse, informoi Çavuşoğlu, i cili ka theksuar se ata do të bëjnë atë që është e nevojshme për sigurinë e pikave të vëzhgimit.
Më tej pasi ka bërë të ditur se sulmi i kryer dje është kundrejt rajonit ku ndodhet pika e vëzhgimit numër 9 në Idlib, kryediplomati turk tha se “Nuk kemi për qëllim që të zhvendosim pikën e vëzhgimit numër 9 në ndonjë vend tjetër”.
Ndërsa në lidhje me marrëveshjen e arritur me SHBA-në për zonën e sigurt në Siri, ministri Çavuşoğlu u shpreh se “Nuk do të lejojmë që SHBA të menaxhojë një proces të dytë të Munbixhit”.


