
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas nominimit të Vjosa Osmanit kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, ka shkruar se Osmani, ndonëse e re në moshë, ka përvojë të gjatë shtetërore e parlamentare për t’u përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze, shkruan KosovaPost.
Andaj ka shkruar Mustafa në Facebook, se nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës , pret përkrahjen e plotë, ashtu si e mori edhe përkrahjen e plotë nga Kryesia e LDK-së.
‘Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare, ka shkruar Mustafa në Facebook
Postimi i plotë i kryetarit Mustafa në Facebook:
Qytetarë të nderuar
Vendosim sot, që znj. Vjosa Osani të jetë kandidate e LDK-së për Kryeministre të Kosovës. Dje, ajo mori përkrahjen e plotë të Kryesisë së LDK-së.
Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze.
Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë. Ishte, poashtu, z. Lutfi Haziri, tani Kryetar i Gjilanit. Më herët zëvendëskryeministër e deputet. Z. Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të parezervë Vjosës.
Përkrahjen e sigurt e pres sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. E nesër, nga qytetarët e Kosovës.
Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare. IM


