
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, zhvilloi një vizitë pune në Jordani, ku u prit në një takim nga ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Jordanisë, Ayman Al Safadi.
Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, fokus i takimit ishin marrëdhëniet dypalëshe, kryesimi nga Shqipëria i Grupit të Kontaktit të Mesdheut të OSBE-së si dhe prioritetet e Kryesisë shqiptare të OSBE-se 2020.
“Gjatë takimit, ministri Cakaj u ndal tek kryesimi i Grupit të Kontaktit të Mesdheut të OSBE-së, duke shprehur angazhimin e plotë të Shqipërisë në marrjen e kësaj iniciative. Në këtë kuadër, ministri Cakaj, u fokusua tek avancimi i dialogut me vendet partnere në fushat me interes të përbashkët, ku OSBE sjell një vlerë të shtuar në çështje si sfidat e sigurisë, forcimi i rolit të rinisë në shoqëri dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se Cakaj, theksoi se Shqipëria do të promovojë luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit, fuqizimin e rolit të gruas dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkohë, ministri jordanez, Ayman Al Safadi, theksohet se nënvizoi se Jordania kërkon vijimin e bashkëpunimit dhe angazhimit me OSBE-në përmes aktiviteteve në kuadër të Partneritetit për Mesdheun.
“Ministrat shprehën angazhimin e tyre të plotë për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga potenciali real që ekziston për rritjen e shkëmbimeve tregtare, nxitjen e investimeve, apo fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik”, thuhet më tej në njoftim.


