
“Sekretari i përgjithshëm është i shqetësuar nga deklarata e Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, i cili njoftoi qëllimin e tij, nëse rizgjidhet, për të aneksuar Luginën e Jordanit dhe pjesën veriore të Detit të Vdekur si hap i parë për të aplikuar sovranitetin e Izraelit mbi të gjitha vendbanimet dhe zonat e tjera në Bregun Perëndimor të pushtuar”, tha Dujarric përmes një komunikate të shkruar.
Ai theksoi se hapa të tilla, nëse zbatohen, do të përbëjnë një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar, gjë që do të ishte shkatërruese për negociatat e mundshme dhe paqen rajonale, si dhe për qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete.
Gjithashtu Dujarric precizoi se çështja izraelito-palestineze duhet të trajtohet në përputhje me rezolutat e OKB-së dhe mbi bazat e një zgjidhjeje me dy shtete, sipas kufijve përpara vitit 1967.
Netanyahu deklaroi të martën se Izraeli do të imponojë sovranitetin e tij mbi Luginën e Jordanit dhe vendbanimet e tjera në Bregun Perëndimor të pushtuar nëse ai fiton zgjedhjet e përgjithshme të javës së ardhshme.
Rreth 70 mijë palestinezë, së bashku me gati 9 mijë e 500 kolonë hebrenj, jetojnë aktualisht në Luginën e Jordanit, një tokë e madhe pjellore që përbën afërsisht 1/4 e Bregut Perëndimor.
Izraeli pretendon se kjo luginë është thelbësore për sigurinë e tij duke hedhur poshtë vazhdimisht idenë e heqjes dorë nga ndonjë pjesë e saj në çdo zgjidhje të ardhshme me palestinezët.
Rreth 650 mijë kolonë hebrenj jetojnë aktualisht në gati 250 vendbanime ilegale të ndërtuara që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Palestinezët i duan këto territore dhe Rripin e Gazës për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.
Ligji ndërkombëtar i quan Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor si “territore të pushtuara” duke i konsideruar të gjitha aktivitetet e ndërtimit për kolonët çifutë atje si “të paligjshme”.


