
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian deklaroi se rreziku që Britania e Madhe të largohet nga BE-ja pa një marrëveshje mbetet “shumë e vërtetë”.
Juncker pas takimit me kryeministrin britanik Boris Johnson të hënën, tha se një Brexit pa marrëveshje “mund të jetë zgjidhja për Britaninë e Madhe por jo edhe për ne”.
Parlamenti Evropian do të debatojë sot për Brexit-in dhe është vendosur të miratojë një rezolutë ku do të paraqesë shqetësimet e saj.
Pika kryesore e ngecjes së marrëveshjes për Brexit-in është kalimi kufitar midis Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut, e cila do të kërkonte që Britania të ruajë disa rregulla tregtare të BE-së.
“Kërkova nga kryeministri britanik të specifikojë aranzhimet alternative që ai mund të parashikojë”, ka thënë Juncker.
Britania duhet të largohet nga BE-ja më 31 tetor, përveç nëse përsëri kërkon një shtyrje të afatit, të cilën Johnson me vendosmëri nuk e pranon.


