
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se ekspertë nga organi ndërkombëtar janë nisur për në Arabinë Saudite për të hetuar sulmet e fundjavës me dron ndaj fabrikave të naftës në këtë vend.
Ekspertët e autorizuar nga Departamenti i Çështjeve Politike dhe të Paqes (DPPA) “do të bëjnë punën e tyre sipas mandatit që Këshilli i Sigurimit u ka dhënë atyre”, u tha Guterres gazetarëve në një konferencë për media.
Të hënën, Rijadi tha se armët iraniane u përdorën në sulme, duke përmendur hetimet fillestare dhe se do të ftojnë ekspertët e OKB-së dhe ato ndërkombëtarë për të parë situatën në terren.
Guterres tha se sulmi i të shtunës ishte një “përshkallëzim dramatik” në rajonin e Gjirit.
“Siç kemi parë nga ndikimi i menjëhershëm në tregjet e naftës, po të kishte një konfrontim të madh në Gjirin Arab, do të kishte pasoja shkatërruese për rajonin, por edhe globalisht”, tha Guterres.
SHBA po drejton gishtin gjithmë e më shumë drejt Iranit për sulmet ndaj kompanisë shtetërore saudite Aramco. Sulmet janë marrë përsipër nga rebelët Huthi të Jemenit, të cilët mbështeten nga Irani.
Megjithatë, Irani ka mohuar çdo përfshirje pasi tensionet rajonale rriten mes spekulimeve ndëshkimore nga SHBA-të dhe aleatët e saj.


