Dhaka
Policia e Bangladeshit ka arrestuar 45 të dyshuar Rohingya nga një shtëpi në rrethin Chattogram.
“Të gjithë ishin të rinj, të moshës midis 18 dhe 25 vjeç. Ata nuk kishin asnjë dokument për të konfirmuar se janë banorë të kampeve të refugjatëve Rohingya në rrethin Cox’s Bazar”, tha Shamim Sheikh për AA, një oficer policie në qytetin Chattogram.
Sheikh tha se duke marrë parasysh gjuhën e tyre dhe dokumentet, policia konfirmoi se ata janë Rohingya.
“Ata u morën në pyetje dhe rrëfyen se kanë ardhur nga qyteti Maungdaw i Mianmarit. Të gjitha ata nuk e kuptojnë gjuhën tonë dhe sillen si të sapoardhur”, tha Sheikh.
“Ne nuk jemi të sigurt nëse ata janë Rohingya të rinj që hynë në Bangladesh, por duken se janë të rinj këtu”, shtoi ai.
Oficeri i policisë bëri të ditur se pas marrjes në pyetje, të dyshuarit Rohingya janë paraqitur në një gjykatë lokale si “të huaj të paligjshëm”.
– Populli i persekutuar
Muslimanët Rohingya, të përshkruar nga OKB-ja si njerëzit më të persekutuar në botë, janë përballur me frikën e shtuar të sulmeve pas vrasjes së dhjetëra Rohingyave në dhunën lokale në vitin 2012.
Sipas organizatës “Amnesty International”, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit filluan një sulm ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e shtyrë numrin e të persekutuarve në Bangladesh në mbi 1.2 milionë.
Që nga 25 gushti i vitit 2017 afro 24.000 muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat e shtetit të Mianmarit, thuhet në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontario (OIDA).
Më shumë se 34.000 Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114.000 të tjerë u rrahën, thuhet në raportin e OIDA-s, me titull “Migrimi i detyruar i Rohingyave: Përvoja e Parrëfyer”.
Sipas këtij raporti, rreth 18.000 gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit dhe mbi 115.000 shtëpi Rohingya u dogjën ndërsa 113.000 të tjera u vandalizuan.


