
Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu Agency (AA) nga burime të sigurisë, së paku 4.407 migrantë të parregullt u ndaluan gjatë javës së kaluar në të gjithë Turqinë.
Rreth 1.916 migrantë u ndaluan në operacione të shumta të kryera nga forcat e xhandarmërisë në provincën veriperëndimore Edirne, në kufi me Greqinë dhe Bullgarinë.
Sipas forcave lokale të sigurisë në Edirne, Greqia kohët e fundit ka rritur përpjekjet për të dërguar migrantë të parregullt në Turqi në shkelje të Konventave të Gjenevës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës së OKB-së kundër Torturës.
Në provincat bregdetare Çanakkale, Balikesir, Aydin, Izmir, Mugla dhe Antalya, Garda Bregdetare Turke dhe forcat e xhandarmërisë ndaluan gjithsej 2.222 migrantë derisa po përpiqeshin të kalonin në Evropë përmes Greqisë.
Turqia ka qenë pika kyçe transitore për migrantët e parregullt që synojnë të kalojnë në Evropë për të filluar jetë të re, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.
Në mënyrë të veçantë, në provincat veriperëndimore Kirklareli dhe Tekirdag, 114 migrantë u mbajtën nga forcat e xhandarmërisë.
Për më tepër, forcat kufitare dhe policia në provincën jugore Hatay ndaluan 114 migrantë në përpjekjen për të hyrë në Turqi me mjete të paligjshme nga Siria.
Në provincën qendrore Kayseri, gjithsej 36 migrantë u ndaluan nga forcat e policisë dhe të xhandarmërisë.
Migrantët janë nga shtete si Pakistani, Kongo, Siria, Iraku, Irani, Afganistani, Tunizia, Kuvajti, Maroku, Egjipti, Libia, Bangladeshi, Algjeria, Somalia, Gana, Jemeni, Palestina, Nepali, Eritrea dhe Nigeria.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2018 rreth 268 mijë migrantë të parregullt u ndaluan në Turqi.
“Deri më tani rreth 336.707 migrantë të parregullt u ndaluan gjithashtu në vitin 2019”, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu.


