
Një zjarr i madh ka përfshirë pyjet e fshatit Nikolicë në Devoll prej ditës së djeshme. Gazetarja Lorena Kodra raporton për “BalkanWeb” se zjarri vijon ende me intensitet të lartë.
Në terren ndodhen rreth 40 punonjës të bashkive që po punojnë për shuarjen e flakëve. Për shkak të terrenit të vështirë është e pamundur ndërhyrja e zjarrfikësve dhe punonjësit do bëjnë ndërhyrje krahu.
Burime nga vendi i ngjarjes raportojnë për mbërritjen e 20 forcave të ushtrisë për të ndihmuar për shuarjen e zjarrit. Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm por ende nuk ka një konfirmim nga policia. Të gjitha bashkitë e qarkut të Korçës janë të angazhuara për të ndihmuar në izolimin e flakëve.
















