Komiteti Kushtetues për Sirinë mblidhet në Gjenevë

Mos i humb

Përfaqësuesi special i OKB-së për Sirinë, Geir O. Pedersen njoftoi se nesër në mbrëmje do të takohet në Gjenevë me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe ministrin e Jashtëm iranian, Javad Zarif.

Në një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Pedersen tha se në Gjenenë kanë filluar të mbërrijnë 150 anëtarët e Komitetit që do të hartojnë Kushtetutën e re të Sirisë.

“Marrëveshja për formimin e Komitetit Kushtetues ka cilësinë e marrëveshjes së parë politike mes qeverisë së Sirisë (regjimit të Bashar Asadit) dhe opozitarëve”, tha Pedersen duke njoftuar se hapja zyrtare e takimit të Komitetit Kushtetues do të zhvillohet në Zyrën e OKB-së në Gjenevë më 30 tetor.

Pedersen vuri në dukje se Komiteti do të hapë derën e “një procesi më të gjerë politik” në Siri. “Jemi të vetëdijshëm për të vërtetën që Komiteti Kushtetues nuk zgjidh, nuk mund të zgjidhë i vetëm mosmarrëveshjet në Siri. Komiteti Kushtetues ka vetëm rëndësinë e një hapi që shkon në drejtimin e duhur dhe drejt Sirisë së re”, tha Pedersen.

“Në takimet që do të zhvillohen në Gjenevë duhet të diskutohet për situatën e civilëve të arrestuar, të rrëmbyer dhe të zhdukur në Siri”, tha Pedersen duke vënë theksin se me Komitetin dëshirojnë të shikojnë “zhvillime pozitive” në terren.

“Ende janë të rrëmbyer, robër dhe të zhdukur me dhjetëra mijëra sirianë. Bëj thirrje për lirimin fillimisht të grave dhe fëmijëve. Nëse kjo realizohet, unë besoj se do të jepet një sinjal i fortë se ata (anëtarët e komisionit) janë seriozë për fillimin e procesit të ri”, deklaroi ai.

Pedersen tërhoqi vëmendjen se Kushtetuta e re duhet të miratohet nga populli sirian dhe se gjatë takimeve që do të mbahen në Gjenevë, vendimet e anëtarëve të Komitetit do të merren me konsensus ose me një shumicë prej 75 për qind.

Pas një pyetjeje Pedersen theksoi se nesër do të takohet në Zyrën e OKB-së në Gjenevë me ministrat e Jashtëm të Turqisë, Rusisë dhe Iranit. Ai potencoi se sot ka zhvilluar takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE) ndërsa të premten zhvilloi takime me përfaqësuesit e vendeve të emëruara si “Grupi i vogël”.

Ai ka bërë të ditur se në hapjen zyrtare të Komitetit të mërkurën do të mblidhen vetëm anëtarët e Komitetit dhe zyrtarët e OKB-së ndërsa nuk do të jenë të pranishëm përfaqësues të vendeve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit