
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka bërë të ditur se vendi i tij është në bisedime me Rusinë për dorëzimin e 18 anëtarëve të ushtrisë së regjimit sirian, të cilën u kapën gjatë aktiviteteve të kërkimit në juglindje të qytetit sirian Ras Al-Ayn në zonën e operacionit “Burimi i Paqes”.
“Kemi bisedime me rusët për dorëzimin e 18 personave, të cilët janë anëtarë të ushtrisë së regjimit, të rusëve”, tha Akar gjatë inspektimit të trupave kufitare në provincën Şanlıurfa të Turqisë në afërsi të kufirit me Sirinë.
“Ne i prezantuam zhvillimet në lidhje me këtë çështje presidentit tonë dhe morëm udhëzime”, tha Akar.
Të martën, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi se gjatë një kontrolli në juglindje të qytetit Ras Al-Ayn u arrestuan 18 persona të pretenduar si elementë të regjimit sirian.
Vendi ku u kapën është zona ku po zhvillohet operacioni turk “Burimi i Paqes”, i cili u nis më 9 tetor për të eliminuar terroristët nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat, me qëllim për të siguruar kufijtë e Turqisë, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të garantuar integritetin territorial të Sirisë.
Më 22 nëntor, Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta atje.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane PKK-së.
Akar foli edhe për prokurimin e Turqisë për sistemet raketore ruse S-400, për çka theksoi se “përpjekjet për t’i bërë këto sisteme të mbrojtjes ajrore të funksionojnë me kapacitet të plotë do të vazhdojnë deri në pranverën e vitit 2020”.
Turqia pranoi dy grupe me raketat S-400, e para në muajin korrik dhe e dyta në muajin shtator.


