
Policë të armatosur me kallashnikovë që ruajnë hyrjen e spitalit rajonal të Durrësit, ku aktualisht ndodhen të shtruar prokurori Arben Ndoja dhe Landi Muharremi, të cilët u plagosën në një atentat me armë zjarri teksa udhëtonin me makinë. Këto janë pamjet që vijnë nga spitali i Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, ku një makinë hapi zjarr ndaj mjetit ku udhëtonte Ndoj.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj në një lidhje direkte në ‘News24’ nga spitali i Durrësit raportoi për situatën dhe gjendjen e prokurorit. Haxhiaj tha se prokurori, i cili ka marrë dy plumba, ndodhet në katin e dytë të spitalit, ndërsa është jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu edhe Muharremi, i identifikuar nga policia me emrin Aleksandër Laho, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mes të tjerash gazetarja Haxhiaj tha se në spital ndodhen forca të shumta policie, brenda dhe jashtë godinës. Pak pas ngjarjes në spitalin e Durrësit shkoi drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.


