Ndikimet e huaja në zgjedhje, Balla prezanton projektrezolutën: Shqipëria nuk është imune ndaj ndërhyrjeve ruse

Mos i humb

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka prezantuar sot në Komisionin e Jashtëm projektrezolutën për “Ndërhyrjet e Huaja në Proceset Elektorale dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike Kombëtare”.   Në  fjalën para Komisionit, Taulant Balla tha se shkas për këtë nismë është bërë rezoluta  e miratuar nga Parlamenti Europian.

Kreu i grupit parlamentar të PS pohoi se ka pasur qasje të ndikimeve ruse mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo sipas tij, është faktuar nga studimi  i kryer nga fondi “Marshall”.

“Shkas për këtë nismë u bë rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian. Ka pasur qasje te influencës ruse në vendet e rajonit te Ballkanit Perëndimor. Ka një studim për ketë influence dhe studimi i kryer nga fondi Marshall. Është argument pa bazë që Shqipëria është imune nga influenca ruse”-tha Balla.

Gjithashtu Balla shpjegoi edhe arsyet të cilat e kanë detyruar të ndërmarrë këtë projektrezolutë.

“Fonacioni “Konrad Adenauer” në studimin e tij thotë se influenca ruse ecën me moton: përça e sundo. Meqenëse vendi ynë nuk mundet të jetë imun ndaj dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja, kam ndërmarrë ketë projektrezolutë”-shtoi ai.

Fjala e plotë:

Jam këtu përpara jush sot për të diskutuar mbi argumentat apo arsyet që qëndrojnë mbas kësaj Projekt-Rezolute. Siç shprehet qartazi edhe në relacionin që shoqëron Projekt-Rezolutën shkas për të është bërë Rezoluta e Parlamentit Europian e votuar vetëm rishtaz në 10 tetor 2019 në Parlamentin Europian me 469 votes pro, 143 kundër dhe 47 abstenuan.

Ndonëse në Bashkimin Europian apo në SHBA rastet e ndërhyrjes Ruse në proceset elektorale janë vërtetuar, dhe prej vitesh siç përmendet edhe në Rezolutë, për të luftuar fenomenin vendet anëtare ndalojnë plotësisht ose pjesërisht dhurimet e huaja për partitë politike ose kandidatët, aktorët e huaj gjejnë mënyra për t’i anashkaluar ato rregulla, dhe përmenden rastet e Frontit Kombëtar në Francë, dhe pretendimet e raportuara nga media për Partinë Liria në Austri, Lega në Itali dhe Leave.eu në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2018 BE mori një vendim in extremis kur njoftoi zyrtarisht nisjen e “luftës kundër dezinformimit” të përhapur nga Kremlin në përpjekje për të mbrojtur zgjedhjet e Parlamentit Evropian 2019.Mënyra e parandalimit të ndërhyrjeve të huaja për Eurodeputetët është një iniciativë e përbashkët si forcimi i Task Forcës së përbashkët East StratCom.

Për të kaluar në rajonin e Ballkanit Perëndimor e cila na prek në mënyrë të drejtpërdrejtë. Prej vitesh partnerët tanë strategjikë por edhe studime nga think tanks apo institute kërkimore kanë evidentuar dhe faktuar praninë Ruse në rajon e cila nëpërmjet dezinformimit ka ndikuar në të paktën tre zhvillime politike rajonale: në referendumin e ndryshimit të emrit në Maqedoninë e Veriut; në fazën e fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe në zgjedhjet e 2018 në Bosnje Hercegovinë.  Në bazë të studimit të German Marshall Fund, nëpërmjet dezinformimit narrativa e përhapur Ruse janë lidhjet para-ekzistuese të identitetit, histori e përbashkët dhe një mbështetje e pakushtëzuar politike ruse në kohë.

Dezinformimi qëndron në faktin që zbehet dallimi midis opinionit dhe faktit duke krijuar mosbesim në burimet e mëparshme të respektuara të informacionit  dhe krijojnë hapësirë për një narrativën anti-Perëndimore. Sipas studimit në fjalë dhe citoj “Kjo narrativë është filtruar nëpër mediat tradicionale dhe sociale, si dhe aktorë vendorë politikë, kulturorë dhe ekonomikë. Nuk është e gjitha çështja e një axhende politike të imponuar nga lart-poshtë, por ekziston edhe një mjedis politik i favorshëm në mënyrë që përpjekjet e tilla të mos rezistohen në mënyrën e duhur.” Kam dëgjuar edhe diskutimet e brendshme të cilat argumentojnë që Shqipëria është immune ndaj dezinformimit Rus. Në fakt është një argument pa bazë për sa kohë Shqipëria dhe shqipëtarët kudo në rajon në bazë të narrativës Ruse janë objekt i saj. Sërish më pëlqen të citoj studimin e German Marshall Fund kur thotë: “Ministria e jashtme e Rusisë është duke kaluar narrativën që BE dhe NATO kanë miratuar krijimin e një “Shqipërie të Madhe” në rajon. Narrativa e Perëndimit ndërhyrës, është ndërtuar gradualisht përmes deklaratave politike dhe përmbajtjes mediatike, duke shfrytëzuar tensionet etnike lokale. Daljet Pro-Ruse në rajon e kanë shfrytëzuar me këmbëngulje këtë argument në vitet e fundit. Një ilustrim i kësaj tendence është një titull që u shfaq në Sputnik në Mars 2017, në fillim të krizës në Shkup: “NATO e gatshme të shohë” gjakun në rrugët e Maqedonisë “për projektin e Shqipërisë së Madhe.”

Studiues të fushës si Dimitar Bechev  paralajmërojnë që fushatat dezinformuese të Rusisë apo të aktorëve të tjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk janë të drejtpërdrejta por bazohen në një spektër të gjerë të instrumenteve diplomatike, duke përfshirë, por jo të kufizuar në, ndikimin e mediave, mbështetjen e publikut për organizatat dhe liderët euro-skeptik, si dhe krijimin e OJQ-ve të ndryshme dhe shoqatave qytetare që luajnë role të rëndësishme në çështjet lokale. Ndërsa studimi i Konrad Adenauer Stiftung i 2018 argumenton që strategjia ruse bazohet në moton “ përça dhe Pushto”. Pushtimi është në sensin figurativ pasi ajo që synohet nga propaganda Ruse është ndërtimi i një narrative që të krijojë zhgënjim nga Perëndimi dhe integrimi më specifikisht.

Ndërsa një publikim i Friends of Europe, të financuar nga BE, identifikon ‘fake news dhe dezinformimin’ si normaliteti i ri në Ballkanin Perëndimor.

Nëse të dhënat e mësipërme i kombinojmë me faktet e një studimi të fundit të kryer në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets e cila del në përfundimin se informacionet e rreme dhe dezinformimi përhapen “dukshëm më shpejt, më thellë dhe më gjerësisht se e vërteta” dhe se të vërtetës i duhet gjashtë herë më shumë kohë për të arritur në 1.500 njerëz në krahasim me përmbajtjen false.

Në këto kushte duke u dakordësuar mbi faktin që vendi jonë nuk mund të jetë imun ndaj fenomenit të dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në fushatat elektorale Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, në kuadër edhe të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në 2021, Socialiste vlerëson propozimin për shqyrtim dhe miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të Projekt-Rezolutës “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”. Mbetem në dispozicion të këtij Komisioni për sqarime të mëtejshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit