![]()
Të paktën pesë civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore ruse në Idlib, zonën veri-perëndimore të Sirisë që më herët është shpallur zonë e mbrojtur nga aktet e agresionit.
Sipas agjencisë lokale të mbrojtjes civile, e njohur si “Helmetat e Bardha”, tre civilë kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombe të hedhur më herët nga Rusia në Idlib.
Ndërkaq, observatori i avionëve i opozitarëve sirianë tha se dy civilë janë vrarë dhe pesë janë plagosur nga një sulm i avionëve rusë në fshatin Fattire në orët e mëngjesit.
Sulme ajrore janë ndërmarrë edhe në rrethin Kefrenbil dhe fshatin Serxhe.
Nga ana tjetër, edhe forcat e regjimit të Bashar al-Asadit dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani kanë sulmuar me artileri disa fshatra në këtë rajon.
Helmetat e Bardha kanë njoftuar se 75 civilë, përfshirë 13 fëmijë, kanë humbur jetën muajin e kaluar nga sulmet në Idlib.
Turqia dhe Rusia ranë dakord në shtatorin e vitit të kaluar për ta shpallur Idlibin një zonë të deeskalimit ku shprehimisht aktet e agresionit janë të ndaluara.
Regjimi sirian dhe aleatët e tij, megjithatë, kanë thyer vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit, duke ndërmarrë sulme të shpeshta brenda zonës.
Zona e deeskalimit aktualisht është vendstrehim për rreth katër milion civilë, përfshirë qindra mijëra të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit nga i gjithë vendi i shkatërruar nga lufta.


