Stamboll, hapet Qendra Kulturore e Maqedonisë së Veriut

Mos i humb

Me pjesëmarrje të ministrit të Kulturës të Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, sot në Stamboll u bë hapja e Qendrës Kulturore të Maqedonisë së Veriut.

Duke folur në hapjen e qendrës e cila ndodhet në lagjen Beyoğlu të Stambollit, Ismaili theksoi se marrëveshja për themelimin e qendrave kulturore në Shkup dhe Stamboll është rezultat i përkushtimit të dy shteteve për thellimin e bashkëpunimit kulturor.

Ismaili theksoi se kjo do të jetë qendra kryesore e kulturës dhe artit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Stamboll.

“Ky vend, ku ndodhet Qendra Kulturore, do të paraqesë një shtëpi në të cilën bashkërisht do të ndërtojmë urën e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy popujve për të gjithë qytetarët turq, prejardhja e të cilëve është nga vendi ynë, si dhe i artistëve”, theksoi Ismaili.

Ai gjithashtu tha se monumenti kulturor “Kurshumli Han” për një kohë të shkurtër do të restaurohet dhe do t’i dorëzohet në shfrytëzim Turqisë në periudhë dhjetëvjeçare.

“Procesi i regjistrimit të Qendrës Kulturore në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar. Gjithashtu, është miratuar vendim për restaurimin dhe mbrojtjen e Kurshimli Hanit dhe vendim për caktimin e arkitektit përgjegjës. Përpos kësaj, çelësi i Kurshumli Hanit i është dorëzuar drejtorit të institutit ‘Yunus Emre’ në Shkup”, tha Ismaili.

Drejtori i Qendrës Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Ramadan Ramadani, theksoi se në Turqi asnjëherë nuk ndihet i huaj.

“Maqedonia e Veriut dhe Turqia gjeografikisht nuk janë fqinj, por për shkak se vlerat dhe parimet fqinjësore mes dy shteteve mbahen në nivelin më të lartë të mundur, ne perceptohemi si fqinj”, theksoi Ramadani.

Pas fjalimeve u ndanë dhurata për të gjithë ata që kanë dhënë mbështetje për hapjen e qendrës kulturore.

Në hapjen solemne të pranishëm ishin ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Ankara, Zvonko Mucunski; konsulli i përgjithshëm në Stamboll, Aktan Ago; kryetari i rrethit Beyoğlu, Haydar Ali Yıldız, si dhe drejtori i institutit “Yunus Emre” në Shkup, Serhat Kula.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit