
Në një kohë që paketa anti-shpifje ende nuk ka hyrë në fuqi, duket se autoritetet kanë nisur sulmet ndaj mediave të ndryshme.
Denoncimi i parë është bërë nga Jeta Osh Qef, portal i cili pak ditë më parë u sulmua me akuzën se kishte shpërndarë një fake news.
Në një postim në mediat sociale drejtuesit e JOQ shkruajnë se stafi i tyre është vënë nën sulme të paprecedenta.
“Ndërkohë që bëhet debat për ligjin e portaleve, për JOQ Albania kjo ishe është bërë ligj dhe maliq.
Website ynë, i cili ka nr më të lartë të vizitave është bllokuar nga Qeveria pa asnjë njoftim, pa asnjë vendim gjykate dhe pa asnjë arsye zyrtare.
Gazetarët e JOQ janë shpallur në kërkim nga Sandër Lleshaj dhe Drejtoria e Antiterrorit.
Prokuroria e Rilindjes po heton JOQ për pastrim parash droge dhe për financime nga ISIS. Pushka top le t’iu bëhet se ne kemi me vete Zonit, të vërtetën dhe shqiptarët e ndershëm,” shkruhet në njoftimin e JOQ.

Deklarata bëhet pas votimit në Kuvend, të paketës anti-shpifje nga maxhoranca.
Në seancë, para votimit, Kryeministri tha se Shqipëria është bazuar tek ligjet e Bashkimit Evropian, teksa nuk kurseu as ironitë dhe talljet për gazetarët që kanë dalë hapur kundër paketës, ndërkohë që u përfshi në një replikë me Rudina Hajdarin, si ‘opozitën’ e vetme sot në Kuvend. Jashtë Kuvendit gazetarët protestuan dhe kërkuan anulimin e ligjit.


