
Delegacioni turk që shkoi të hënën në kryeqytetin Moskë të Rusisë, përfundoi bisedimet në lidhje me Libinë e Sirinë dhe u kthye në Turqi.
Gjatë kontakteve të delegacionit turk në Moskë u trajtuan zhvillimet në Libi, situata aktuale në Idlib të Sirisë dhe përgatitjet për vizitën që Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, do të realizojë në Turqi më datë 8 janar.
Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi përmes një komunikate të shkruar se delegacioni rus në këto bisedime u drejtua nga diplomati Mikhail Bogdanov, i dërguar special i Presidentit Vladimir Putin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën; kurse delegacioni turk nga ambasadori Sedat Onal, zëvendësministër i Punëve të Jashtme.
“Pas shkëmbimit të mendimeve, u ra dakord për vazhdimin e kontakteve lidhur me problemet në Libi, përfshi këtu edhe ofrimin e ndihmës së mundshme për zgjidhjen e hershme të krizës në këtë vend”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e MPJ ruse.


