SHBA, ligjvënësit kritikojnë vendimet e gjykatës saudite mbi rastin Khashoggi

Mos i humb

Disa ligjvënës amerikanë kanë dënuar aktvendimin “e turpshëm” saudit dhe vendimet gjyqësore për vrasjen e vitit të kaluar në Stamboll të gazetarit Jamal Khashoggi.

Vendimi i gjykatës saudite tërhoqi kritika të fuqishme nga Washingtoni, ku ligjvënësit dhe presidenti Donald Trump janë në pushime për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Senatori Bernie Sanders, një konkurrues demokrat për zgjedhjet presidenciale të vjeshtës së ardhshme, kritikoi gjykimin saudit duke theksuar se Agjencia Qendrore e Intelegjencës (CIA) arriti në përfundim se princi i kurorës saudite urdhëroi vrasjen e Khashoggit.

“Ky gjykim i turpshëm, i kryer nga një regjim despotik dhe i paligjshëm, duket më shumë si një mbulim”, shkroi Sanders në twitter.

Senatori demokrat, Jack Reed nga Rhode Island, nga ana e tij e quajti gjykimin më shumë si “shfaqje komike” sesa “drejtësi”.

“Dhënia e dënimit me vdekje dhe dënimeve me burg për disa nga individët e nivelit të ulët të cilët mesa duket ishin të përfshirë në këtë krim të rëndë dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës urdhëruesit, mbikëqyrësit, drejtuesit dhe ata që fshehën vrasjen është një përpjekje e tmerrshme për të fshirë të vërtetën”, tha Reed në një deklaratë me shkrim.

Ai theksoi se këto dënime nuk do t’i ndalojnë të flasin për vrasjen e Khashoggit, duke shtuar se do të vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë mbi rastin Khashoggi.

Kreu i Komitetit të Intelegjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Adam Schiff, tha se dënimi është një “vazhdim i përpjekjet së Mbretërisë për të distancuar lidershipin saudit” nga vrasja e Khashoggit.

“Kjo ishte një vrasje e paramenduar, jo një vendim i rastit ose një operacion mashtrimi”, shkroi Schiff në twitter.

Ndërsa senatori nga Virginia, demokrati Tim Kaine, tha se zyrtarët e lartë sauditë vazhdojnë t’i “shpëtojnë përgjegjësisë për vrasjen e sposorizuar nga shteti” dhe kërkoi nga administrata e presidentit Trump të kërkojë drejtësi.

Senatori demokrat Richard Blumenthal nga shteti Connecticut e quajti gjykimin të turpshëm dhe tha se organizatorët u larguan “pa-taksë”.

Po ashtu edhe senatori i pavarur Angus King i shtetit Maine tha se vendimi i të hënës “nuk duket se plotëson kriteret e drejtësisë dhe përgjegjësisë”.

Shtëpia e Bardhë nuk ka lëshuar një deklaratë zyrtare, por një zyrtar i lartë e quajti aktvendimin një “hap të rëndësishëm”.

“Ky është një hap i rëndësishëm për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm dhe ne e inkurajojmë Arabinë Saudite të vazhdojë me proces gjyqësor të drejtë dhe transparent”, tha zyrtari.

Trump është kritikuar se ka minimizuar seriozitetit e vrasjes, si dhe për mohimin se Princi Salman ishte përgjegjës.

Të hënën, një gjykate saudite dënoi pesë persona me vdekje për përfshirje në vrasjen e Khashoggit, por u shfajësuan dy ndihmës të lartë të Princit të Kurorës Saudite, Mohamed bin Salman.

Zv/prokurori publik i Arabisë Saudite, Shalaan al-Shalaan, në një konferencë për media të hënën, tha se gjithsej 31 persona u hetuan në lidhje me vrasjen e Khashoggit, 11 prej të cilëve u akuzuan. Pesë persona u dënuan me vdekje dhe tre me gjithsej 24 vite burg, ndërsa pjesa tjetër u liruan.

Pavarësisht hetimeve nga Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Agjencisë Qendrore të Intelegjencës (CIA), si dhe provave të forta të siguruara nga Turqia për palët e interesit, al-Shalaan tha se “hetimi i tyre tregoi se vrasja nuk ishte kryer me paramendim”.

Khashoggi, një kolumnist i “The Washington Post” dhe banor i SHBA-ve, u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018, në një vizitë për të marrë një dokument për martesën e tij.

Pas 18 ditëve të mohimit të vrasjes nga Rijadi, autoritetet saudite thanë se ai ishte vrarë në një zënkë që shpërtheu midis tij dhe 18 sauditëve dhe i arrestuan ata për hetime pa dhënë detaje të tjera mbi vrasjen ose vendndodhjen e trupit të Khashoggit.

Raportuesja e posaçme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, në një raport konstatoi se vrasja e Khashoggit ishte “ekzekutim i qëllimshëm dhe me paramendim”. Ajo inkurajoi një hetim ndaj Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.

Megjithatë, zyrtarët sauditë kanë këmbëngulur se princi saudit nuk ishte i përfshirë në vrasje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit