Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur rreth kompetencave të tij në lidhje me situatën e koronavirusit në vend,(AA).
Duke theksuar edhe vlerësimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Pendarovski u shpreh se Maqedonia e Veriut po përballet në mënyrën më të mirë me koronavirusin, në raport me zbatimin e shpejtë të rekomandimeve të OBSH-së, duke bërë thirrje që në maksimum të respektohen vendimet dhe rekomandimet qeveritare.
Pendarovski tha se ka kërkuar informatë për gjendjen e rezervave nga Agjencia për Rezervat e Mallrave, me ç’rast theksoi rezervat janë të mjaftueshme dhe në përputhje me rregullat ligjore.
“Dua t’ju informoj se të hënën në ora 16:00 kam caktuar mbledhje të Këshillit të Sigurisë, në të cilën përpos përbërjes standarde, kam ftuar edhe ministrin e Shëndetësisë të raportojë për atë që është ndërmarrë deri tani dhe cilat janë parashikimet e tyre si institucion i parë kompetent për këtë epidemi”, tha Pendarovski, duke shtuar se në takim do të merr pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Ai theksoi se në këtë mbledhje do të shqyrtohet nëse është e nevojshme që për shkak të epidemisë së koronavirusit të shpallet gjendje krize në tërë territorin e vendit, apo në një pjesë të tij, pasi siç theksoi si, virusi është kërcënim për sigurinë kombëtare.
“Varianti i tretë, për të cilin më duhet të them se jemi shumë larg miratimit të një vendimi të tillë, është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas nenit 125 të Kushtetutës, nen i cili asnjëherë nuk është aktivizuar për shkak se ka pasur vlerësime se kjo nuk është e nevojshme dhe i cili, nëse është e nevojshme, saktësisht i mbulon këto edhe këto situata me sëmundje infektive”, tha Pendarovski.
Duke përmendur “epideminë e lajmeve të rreme”, Pendarovski bëri thirrje që mediat të raportojnë nga burimet zyrtare, duke theksuar se institucionet kanë detektuar disa përpjekje për përhapje të organizuar të lajmeve të rreme me qëllim të shkaktimit të panikut.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut u shpreh se nuk ka asnjë kompetencë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që janë caktuar më 12 prill, por duke shprehur mendimin e tij, ai shfaqi rezerva të mëdha për ditën e zgjedhjeve.
Mes tjerash, ai shtroi çështjet e qasjes në vendvotime të personave që mund të jenë në vetizolim shtëpiak dhe të personave të infektuar, si dhe vendvotimet që mesatarisht frekuentohen nga rreth 600-700 votues.
Pendarovski theksoi se prioritet absolut i të gjitha palëve duhet të jetë shëndeti i qytetarëve, e jo pikët politike.
Rikujtojmë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është 9, prej të cilëve një paciente është shëruar.


