Pas dy rasteve të të para cilat të premten rezultuan pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19), në Kosovë është rritur në tre numri i të prekurve me virusin pandemik.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media tha se gatishmëria e institucioneve kosovare ka mundësuar “ta kalojmë me sa më pak pasoja këtë situatë”.
Megjithëkëtë, Vitia njoftoi se rasti i të prekurve me virusin pandemik, të shtunën ka shkuar në tre, pas dy rasteve të diagnostikuara dje, një 20-vjeçareje me nënshtetësi nga Italia që punonte në Klinë dhe një 77-vjeçari nga Stublla e Vitisë.
“Sot në këtë konferencë, me keqardhje më duhet t’ju njoftoj edhe për një rast të ri me koronavirus, dhe bëhet fjalë për një të afërme të pacientit nga Stublla e Vitisë, që u diagnostikua dje me COVID-19”, tha Vitia, i cili shtoi se një gjë e tillë flet për gjurmimin e saktë dhe punën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP).
Vitia edhe në këtë konferencë u bëri lutje qytetarëve të respektojnë të gjitha vendimet që dalin nga autoritetet e vendit dhe ato ndërkombëtare në parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
Kryetari i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se Instituti Kombëtar ka punuar në vazhdimësi dje, ndërsa bëri thirrje që qytetarët “të mos vijnë të paraqitën në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të dyshimta të koronavirusit”.
“Ju tashmë e dini se është një person 77-vjeçar, një tjetër 20-vjeçare dhe sot një 39-vjeçare. Të tre personat janë në gjendje stabile në Klinikën Infektive, nën përkujdesjen shumë të mirë të infektologëve të kësaj klinike”, tha Ramadani, i cili theksoi se personat të cilët nuk kanë “temperaturë mbi 38 gradë celsius, kollitje të thatë, dhimbje të fytit dhe vështirësi në frymëmarrje, nuk duhet të paraqiten Klinike Infektive”.
Sipas tij, deri më tash në Kosovë janë kryer gjithsej 140 testime, prej të cilëve në total janë vetëm tri raste pozitive me COVID-19.
Në numrat të cilat autoritetet e shëndetësisë në vend i kanë bërë publike për të telefonuar të gjithë ata që kanë dyshime se janë prekur nga ky virus, sipas Ramadanit, kanë qenë mbi 500 telefonata.
Të premten në mbrëmje, në një mbledhje të jashtëzakonshme, Qeveria e Kosovës vendosi të mbyllë të gjithë kufijtë tokësorë dhe linjat ajrore pas shfaqjes së dy rasteve të para të konfirmuara me të infektuar me koronavirus. Po ashtu, vendi ka ndërprerë transportin ndërurban në Kosovë, si dhe transportin e organizuar ndërkombëtar.
Qeveria vendosi gjithashtu që të ndalojë hyrjen dhe daljet e qytetarëve të komunës së Klinës dhe Vitisë, dy qytete këto ku janë paraqitur rastet me koronavirus.
Po ashtu, ekzekutivi kosovar vendosi edhe mbylljen e “kafiterive, bareve, pabeve, restoranteve dhe qendrave tregtare, përjashtimisht barnatoreve dhe marketeve me gjësende ushqimore, mbylljen e tregjeve të kafshëve dhe të automjeteve, shkurtimin e veprimeve dhe personelit esencial të çdo institucioni publik, përveç stafit të shëndetësisë dhe sigurisë”.
Gjithashtu, qeveria “urdhëroi kompanitë private që të organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia, dhe e fundit ndërprerja e të gjitha aktiviteteve sportive, kulturore dhe rinore”.


