SHBA, numri i të vdekurve nga COVID-19 tejkalon shifrën 11.000

Mos i humb

Sipas të dhënave të Universitetit amerikan Johns Hopkins, numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 11.008 persona, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara ka shkuar në 368.533 raste.

Kirurgu i Përgjithshëm i SHBA-ve, Jerome Adams, paralajmëroi se kjo javë do të jetë shumë e vështirë për vendin.

“Kjo do të jetë java më e vështirë dhe më e dhimbshme e jetës së shumicës së amerikanëve. Ky do të jetë momenti ynë i Pearl Harbour-it dhe momenti ynë i 9/11, vetëm që nuk do të jetë i lokalizuar, do të ndodhë në të gjithë vendin”, tha Adams për Fox News.

Mjekja e cila udhëheq ekipin e koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë, Deborah Birx, javën e kaluar paraqiti një model për numrin e mundshëm të vdekjeve nga koronavirusi në SHBA.

Sipas këtij modeli, mes 100 mijë dhe 240 mijë persona mund të humbin jetën në SHBA nëse ndiqen rregullat e distancimit social dhe rregullat e shëndetit publik. Pa asnjë intervenim, modeli parashikon 1.5 deri në 2 milionë vdekje.

Shteti amerikan New York është më i goditur nga pandemia me pothuajse 5 mijë vdekje.

SHBA është bërë shteti me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara të koronavirusit në botë, i ndjekur nga Spanja, Italia dhe Gjermania.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi me epiqendër të re Evropën.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka tejkaluar shifrën 1.3 milionë, me mbi 76 mijë vdekje dhe mbi 292 mijë të shëruar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit