Italia ka raportuar 619 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar në 19.468 numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga ky virus në vend.
Infeksionet në 24 orët e fundit u rritën për 2 për qind duke arritur në 100.269, një rritje më e lartë krahasuar me një ditë më parë kur rastet u rritën për 1,4 për qind. Numri i pacientëve të shëruar ka shkuar në 32.534, ndërsa numri i pacientëve që trajtohen në kujdes intensiv ra për të tetën ditë radhazi.
Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili aktualisht numëron 10.511 viktima, shifër e cila përcakton më shumë se gjysmën e viktimave në vend.
Pavarësisht presioneve në rritje për të filluar me heqjen e disa prej masave të rrepta, të paktën për bizneset në vështirësi të Italisë, kryeministri Giuseppe Conte dje njoftoi zgjatjen e bllokimit pothuajse të plotë deri më 3 maj.
Rregullat e rrepta të bllokimit për bizneset dhe qytetarët do të mbeten, me vetëm disa përjashtime që përfshijnë libraritë dhe dyqanet me rroba për fëmijë, të cilëve do t’u lejohet të hapen nga 14 prilli.
Conte tha se këshilltarët shkencorë të qeverisë kanë konfirmuar se rritja e rasteve të konfirmuara me koronavirus në Itali është ngadalësuar, megjithatë duke paralajmëruar se rreziqet mbeten të larta dhe se rregullat nuk mund të lehtësohen, veçanërisht gjatë festës së Pashkëve.
Megjithatë, kryeministri theksoi se qeveria tashmë po planifikon si të trajtojë të ashtuquajturën “faza e dytë” pas urgjencës, e cila do të ndihmojë qytetarët italianë dhe bizneset në rimëkëmbjen e tyre.
Për këtë qëllim, qeveria italiane ka krijuar një task forcë të posaçme, përfshirë sociologë, ekonomistë dhe drejtues biznesi, të udhëhequr nga ish-shefi ekzekutiv i Vodafone, Vittorio Colao.
Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli Evropën epiqendër të re të këtij virusi pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza e koronavirusit.
Bazuar në shifrat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, pandemia ka vrarë rreth 104 mijë persona, ndërkohë mbi 1.7 milionë janë infektuar dhe afër 390 mijë janë shëruar.


