Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut konfirmoi një rast të ri të vdekjes dhe 107 të infektuar të rinj me koronavirusin e ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i të vdekurve në ven dshkon në 46, kurse ai i rasteve të konfirmuara me virusin në 1.081.
Në një deklaratë, ministria tha se pacienti që ka ndërruar jetë është një 50-vjeçar nga rajoni i Strugës.
Nga 107 rastet e reja të konfirmuara me virusin gjatë 24 orëve të fundit, numri më i madh është regjistruar në qytetin e Kumanovës, me 44 të diagnostikuar.
Në 24 orët e fundit janë kryer 660 teste për COVID-19 dhe deri më tani, numri i testeve të kryera ka shkuar në gjithsej 10.422.
Ndërkaq, bilanci i përgjithshëm i pacientëve të shëruar nga COVID-19 në vend ka arritur në 121.
Kujtojmë që Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ta ndryshuar kufizimin e lëvizjes së qytetarëve gjatë fundjavës së ardhshme për shkak të festave të Pashkëve, duke e shtuar edhe ditën e hënë. Me këtë, ndalesa fillon nga ora 16:00 ditën e premte dhe mbaron të martën në ora 05:00.
Presidenti Stevo Pendarovski njoftoi sot se do të marrë një vendim të ri për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjithë vendin për të luftuar përhapjen e COVID-19. Vendimin e parë për gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendit me kohëzgjatje prej 30 ditësh, Pendarovski e kishte shpallur më 18 mars.