Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi me mbledhjen e udhëheqësve të partive parlamentare për të diskutuar për formimin e qeverisë së re, “ka dalë në ilegalitet”.
Kurti në një konferencë për media në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, theksoi se sapo të merren veprime konkrete dhe iniciativa për formimin e qeverisë së re të vendoset në letër, do ta çojë çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Siç tha ai, “për qeveri të re duhet të mbahen zgjedhje të reja, ndërsa çfarëdo vendimi tjetër është devijim”.
“Nga roli unifikues dhe nga kompetencat që ia përcakton kushtetuta, presidenti sot doli në ilegalitet. Andaj, formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese pa dyshim”, tha Kurti, disa orë pasi presidenti i vendit mblodhi udhëheqësit politikë në konsultim për formimin e një qeverie të re.
Sipas kryeministrit në detyrë, mundësinë për iniciativë të tillë për formim të qeverisë së re, Thaçit po ia jep Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për të cilën Kurti tha se paraprakisht “braktisën çdo fjalë të thënë e të dhënë ndaj qytetarëve dhe ndaj nesh”.
Kurti deklaroi se vetë presidenti Thaçi ka thënë në raste të mëhershme që “pas një mocioni të mosbesimit, zgjedhjet e reja dhe rimarrja e besimit nga qytetarët është rruga në përputhje të plotë me kushtetutën”.
Kurti tha se situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, mirëpo një gjë e tillë duhet të ndodhë sapo të krijohen kushtet pas situatës me pandeminë e koronavirusit.
“Sot, njëzëri, një klub i stërvjetëruar politikisht kumtoi se nuk janë për zgjedhje, duke thënë kështu të vërtetën e madhe të tyre: frikën nga përballja me vullnetin qytetar. Unë sonte dëshiroj të ritheksoj se prioritet imi si kryeministër është parandalimi i përhapjes së mëtutjeshëm i virusit COVID-19 dhe çdo gjë tjetër partiake apo politike nuk ka asnjë rëndësi, duke përfshirë në veçanti ndërhyrjet e vazhdueshme të cilat po e pengojnë punën e qeverisë në mes të një gjendje emergjente të shëndetit publik”, theksoi Kurti.
Pasditen e sotme, pas një takimi me udhëheqësit politikë, presidenti Thaçi tha se shumica, apo 91 nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës janë për formimin e një qeverie të re, teksa theksoi se “do t’i jap mandatin cilësdo parti që dëshmon se ka shumicën në kuvend, për të formuar qeverinë e re”.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti iu përgjigj nëpërmjet një letre presidentit duke i thënë se bazuar në funksionin e tij, presidenti nuk ka të drejtë dhe as autorizim kushtetues për të konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar “propozimin e kandidatit për kryeministër, kur nuk e kemi bërë këtë”.
Qeveria e udhëhequr nga Kurti u rrëzua më 25 mars nëpërmjet një mocioni të mosbesimit të iniciuar nga partneri i saj i koalicionit LDK, ku pas shkarkimit që Kurti ia bëri ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të kësaj partie, Agim Veliu, për shkak të “shpërndarjes së panevojshme të panikut tek qytetarët rreth koronavirusit”, LDK konsideroi se me shkarkimin e tij pa konsultim paraprak me ta, “u thye marrëveshja e koalicionit”.


