Koreja e Jugut ka shënuar një tjetër rekord të rasteve ditore të konfirmuara me koronavirusin e ri (COVID-19), pas një vale të re të shpërthimit të pandemisë në vend.
Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, autoritetet shëndetësore konfirmuan 324 raste të reja të koronavirusit, shifër më e lartë e rasteve ditore që nga muaji mars, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 16.670.
Më 8 mars, Koreja e Jugut brenda 24 orëve raportoi 367 raste të koronavirusit.
Autoritetet po ashtu njoftuan se me dy viktima të reja, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga koronavirusi ka shkuar në 309.
“Jemi në një pikë kritike nëse një valë tjetër e shpërthimit do të shtrihet në një metodë të plotë”, tha Kim Ganglip, zv/ministër i Shëndetësisë.
Ganglip njoftoi se po zhvillohen diskutime me qeveritë vendose nëse do të forcojnë distancimin shoqëror jashtë rajonit më të madh të kryeqytetit.
Dje, autoritet lokale në kryeqytetin Seul njoftuan ndalimin e grumbullimit të mbi 10 personave, pasi në kryeqytet janë raportuar shumica e rasteve të reja, së bashku me provincën fqinje Gyeonggi.
Nga 324 rastet e reja të raportuara, 125 janë në qytetin e Seulit, 102 në provincën Gyeonggi dhe 17 në Incheon.
– Greva e mjekëve
Mijëra mjekë praktikantë në Korenë e Jugut filluan një grevë për shkak të një plani të propozuar nga qeveria për të rritur numrin e studentëve të mjekësisë në mes të përhapjes së virusit.
Zv/ministri Ganglip paralajmëroi mjekët se do të merren masa të rrepta kundër tyre për grevën në mes të pandemisë.
Kryeministri Chung Sye-kyun po ashtu shprehu keqardhje, duke theksuar se “Mjekët të cilët duhet të mbrojnë jetën e popullit në këtë situatë të rëndë, pasi COVID-19 përsëri po përhapet, kanë filluar aksionin kolektiv”.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes këtë vit anuloi trajnimin e rregullt për forcat rezervë.
Seanca e trajnimi për 2.75 milionë forca të vendit duhej të fillonte në muajin shtator.
Kjo është hera e parë që ushtria ka anuluar trajnimin për forcat rezervë që nga themelimi i divizionit në vitin 1968.


