Maqedoni e Veriut, arrestohen 3 persona të lidhur me DEASH-in

Mos i humb

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut sot bëri të ditur se në bashkëpunim me Agjencinë për siguri nacionale dhe Prokurorinë publike themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ndërmarrë masa dhe aktivitete që rezultuan në arrestimin e një grupi terrorist 3 anëtarësh që ka vepruar në vend, transmeton (AA).

Në njoftimin e MPB-së thuhet se Sektori për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe serioz, Sektori për luftë kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit pranë MPB-së ngriti padi penale deri tek Prokuroria publike themelore për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër personave me inicialet B.A. (28) nga Kumanova, e që qëndron në Shkup, për veprën penale “organizim terrorist” si dhe kundër personit B.A. (22) dhe E.L. (25), që të dy nga Kumanova, për veprat e kryera penale “organizim penal”.

Të tre janë të kthyer, persona që paraprakisht për vepër të kryer penale “Pjesëmarrje në ushtri ose polici të huaj, formacione paraushtarake ose parapolicore” janë dënuar plotëfuqishëm dhe kanë vuajtur dënim me burg.

Në njoftimin policor theksohet se në fillim të vitit 2019, personi A.B. krijoi organizatë terroriste/kriminale në të cilën bënin pjesë B.A. dhe E.L. dhe disa persona dhe së bashku formuan organizatën kriminale “celula” me bazë të ideologjisë së organizatës terroriste DEASH, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste mbi objektiva në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Më tej thuhet se për realizimin e këtij qëllimi, pjesëtarët e grupit kanë siguruar mjete financiare dhe furnizuan sasi të madhe armësh, municion dhe pajisje ushtarake, të cilën e kanë fshehur në afërsi të rrugës lokale të fshatit Bilanovc/fshati Pçinjë.

“Pas marrjes së njohurive operative në lokacion janë gjetur: pesë pushkë automatike, pushkamitraloz, 18 korniza për pushka automatike me nga 30 plumba, kornizë me 15 plumba, tre bishta druri, një bisht druri me një mekanizëm qitjeje, tre granata për minahedhës me mbishkrim RD 40mm, pesë ndezës për granata për minahedhës me siguresë, dy kapela maskimi, dy kapela maskimi të zeza dhe gri, dy palë doreza maskimi, dy jelekë taktikë, katër jelekë me ngjyrë maskimi taktikë, një flamur me shkronja arabe (DEASH), një shami me shkronja arabe”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Më tej theksohet se janë bërë bastisje në shtëpitë dhe katër lokacione tjera, prej të cilave tre në Kumanovë dhe një në rajonin e Shkupit dhe më pas të njëjtit janë privuar nga liria.

Nga bastisjet e bëra janë gjetur dhe konfiskuar: dy rripa të punuar me dorë të mbushura me pluhur (eksploziv), topa metalikë (kushineta) të montuara në një bazë kartoni dhe dy ndezës nga bombë dore për të aktivizuar rripat, dy pajisje me tela me trashësi të ndryshme, dy radio-stacione, pajisje shpërthyese, laptop, nëntë telefona celularë, pesë karta SIM, pajisje elektronike me objektiv, dy USB, këllëf pistolete, veshje maskimi, dy thika, dy këllëf për thika, PMV Audi A-3.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit