Kryeministri Edi Rama ka treguar një episod me të cilin është përballur gjatë kohës kur Turqia u godit nga një tërmet i fuqishëm.
Ai pohoi se shumë njerëz i kishin shkruar se tashmë Turqia do të hiqte dorë nga projekti për ndërtimin e 522 apartamenteve të reja në Laç, për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryeministri tha se nuk e kishte menduar kurrë se do të ndodhte ajo gjë (braktisja e projektit të ndërtimit).
“Po e mbyll me një anekdotë të treguar. Kur tërmeti goditi Turqinë kam pasur disa njerëz që shkruanin se kjo do të kishte pasoja për projektin dhe do të bënte që ky shtet mos të kishte mendjen tek ky projekt. Unë i kam thënë se; ‘kjo nuk ndodh asnjëherë!’ Në raport me fatkeqësinë, nevojën, mes popujve tanë, funksionin siç thotë Mustafa Kemal Atatürk, i cili shprehet se;’Bota është një organizëm, pjesë e të cilës janë të gjitha kombet’. Ata ndërveprojnë me njëri-tjetrin, kur secili prej tyre ka nevojë.”, tha Rama nga Laçi.


