Britania e Madhe nisi sot operacionin “Shpresa”, duke vaksinuar pacientin e parë me vaksinën e Oksfordit. Një 82-vjeçar u bë i pari person që merr këtë vaksinë.
Por ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock deklaroi sot për mediat se është thellësisht i shqetësuar se mutacioni i Afrikës së Jugut mund t’i nxjerrë jashtë loje vaksinat.
Ky mutacion është më infektues se ai që është zbuluar në Britaninë e Madhe dhe po përhapet me shpejtësi nëpër Britaninë e Madhe.
“Jam tmerrësisht i shqetësuar për këtë variant, prandaj morëm vendim për të kufizuar lëvizjet me Afrikën e Jugut,” tha ai, raportojnë mediat britanike.
Pak më herët ishte këshilltari i qeverisë, profesori Sir John Bell që paralajmëroi se të gjitha vaksinat e Covid-19 mund të dalin jashtë lojë për shkak të mutacionit afrikano-jugor.
Profesori i Universitetit të Oxford deklaroi se ky variant është shumë më shqetësues se ai që është zbuluar në Britaninë e Madhe.
“Mutacionet e këtij virusi janë ndryshime goxha thelbësore në strukturën e virusit. Kam një ndjesi që vaksinat mund të jenë efektive ndaj variantit britanik. Por nuk e di nëse do jenë efektive ndaj variantit afrikano-jugor”, është shprehur Bell.
Deri më tani, prodhuesit e vaksinave thonë se nuk ka të dhëna se variantet e reja do e mposhtin atë.
Megjithatë frika ekziston dhe kompanitë thonë se mund të ndërmarrin hapa për të ndryshuar vaksinën në varësi të mutacioneve të virusit Sars Cov-2.

Mutacioni VUI-202012/01
Në përgjithësi, mutacionet nuk janë të pazakonta për një virus të tillë si SARS-CoV-2. Viruset vazhdimisht pësojnë mutacion duke u përpjekur të mbijetojnë. Shumë nga mutacionet janë të vogla ose të parëndësishme, kështu që ky mutacion zhduket papritmas siç u shfaq. Mutacionet që rrisin shpejtësinë e transmetimit janë më të rrezikshëm por kjo nuk do të thotë që vetë virusi do të jetë më i rrezikshëm.
Në këtë rast VUI-202012/01 nuk është mutacioni i parë që zbulohet. ADN-ja e virusit është zbuluar që nga janari: D614G, e cila u bë forma mbizotëruese në botë e virusit shkurtin e kaluar në Europë.
Në verë, u zbulua A222V, i cili u përhap në të gjithë Europën dhe u përhap kryesisht në Spanjë, ndërsa, së fundmi, një mutacion tjetër, H69 / V70, ishte shfaqur më herët.
Të varianti VUI-202012/01, koronavirusi pësoi mutacion për të ndryshuar përbërjen e proteinave S për të rritur aftësinë e saj për të pushtuar qelizat njerëzore.
Një mutacion i ngjashëm është identifikuar në Afrikën e Jugut, por mendohet të ketë ndodhur rastësisht dhe në mënyrë të pavarur nga VUI-202012/01 . Ky është 501.V2.
Lidhur me VUI-202012/01, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk ka vend për panik, pasi nuk nuk ka simptoma të rënda ose vdekshmëri më të lartë.
Cilat grupmosha prek mutacioni i ri i Covid-19?
Sipas të dhënave nga Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), mutacioni ndodh kryesisht tek njerëzit nën moshën 60 vjeç. Në Uells, midis 20 rasteve të identifikuara të VUI 202012/01 mosha mesatare ishte 41 vjeç dhe te fëmijët mosha 11-71 vjeç.
Përveç kësaj, sipas Neil Ferginson, një profesor në Imperial College London tha se , “ka një tregues se ky variant ka një tendencë më të lartë për të infektuar fëmijët. Ende nuk e dimë shkakun, por ne jemi bazuar tek të dhënat që kemi deri më tani.
Në fakt, ai ia atribuon fenomenin faktit që shkollat në Angli kanë funksionuar normalisht gjatë gjithë kësaj kohe dhe rritja e rasteve është për shkak se fëmijët nuk kanë respektuar distancën sociale.
A ndikon mutacioni në transmetimin e virusit?
Ky variant është 70% më infektues, sipas Boris Johnson.
Presidenti i Shoqatës Botërore të Mjekëve, Frank Ulrich Montgomery, ka kundërshtuar pretendimet e Boris Johnson, duke e akuzuar për menaxhim joadekuat të epidemisë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në të njëjtën mënyrë, Bensan Enouf, i Institutit Francez Pasteur, nuk beson se është dokumentuar një lidhje midis mutacionit të ri dhe transmetueshmërisë më të lartë.
Së fundmi, mjeku Christian Drosten , një profesor i virologjisë në Universitetin Charite në Berlin, u shkroi kolegëve të tij: “Si gjithë të tjerët, edhe unë nuk kam informacion të qartë për situatën. Të dhënat e disponueshme kanë mangësi. Duhet të sqarohet nëse virusi transmetohet më lehtë.
A do të funksionojnë vaksinat në mutacionin e ri të Covid-19?
Sipas OBSH-së, ka ende prova të pamjaftueshme nëse mutacioni i ri mund të ndikojë në efektivitetin e vaksinave. Ndërsa Agjencia Europiane e Barnave (Coreper) sqaron gjithashtu se “Për momentin nuk ka asnjë provë se vaksina nuk është efektive kundër variantit të ri”.
Nga ana e tij, CEO i BioNTech, Ugur Sahin tha: “Deri më tani nuk e dimë nëse vaksina na mbron nga varianti i ri i virusit, por nëse është i nevojshëm dhe jo i mjaftueshëm, atëherë mund të kemi një vaksinë të gatshme në gjashtë javë.
Dhe AstraZeneca shprehet se vaksina e saj është efektive kundër mutacionit të koronavirusit të ri.
Ulrich Montgomery tha se “BioNTech tashmë ka testuar vaksinën në 19 mutacione të koronavirusit dhe ka treguar efektivitet në secilën prej tyre.” Mutacioni prek vetëm një pjesë të proteinave në sipërfaqen e virusit, por vaksina synon të gjitha proteinat.
Më në fund, Administrata e Barnave dhe Ushqimit (FDA) e SHBA-së kujton se vaksinat e aprovuara janë “poliklonale”.
Kjo do të thotë, ato prodhojnë antitrupa që synojnë shumë pjesë të proteinave S.
“Aftësia për të shmangur imunitetin e shkaktuar nga vaksinat ndoshta do të ishte një shqetësim, sepse sapo një përqindje e madhe e popullsisë të vaksinohet, do të ketë imunosupresion (është një aftësi e dëmtuar e sistemit imunitar për të luftuar infeksionin ose sëmundje të tjera) që mund të favorizojë dhe përshpejtojë shfaqjen e të ashtuquajturave mutacione arratisjeje”, sipas FDA.
Për momentin, megjithatë, nuk ka asnjë provë që diçka e tillë do të ndodhë dhe ekspertët besojnë se “mutacionet e arratisjes” nuk ka gjasa të ndodhin për shkak të natyrës së SARS-CoV-2.


