Rajonet e goditura nga tërmeti në Japoni janë duke luftuar për rivendosjen e jetës normale, pasi shumë zona mbetën pa ujë dhe energji elektrike, transmeton (AA).
Rreth 153 persona u plagosën pasi tërmeti me magnitudë 7,3 ballë sipas shkallës Rihter goditi rajonin verilindor të Japonisë të shtunën, duke lënë shumë zona pa ujë dhe energji elektrike. Tërmeti dëmtoi shtyllat e energjisë elektrike, linjat e ujit dhe linjat hekurudhore, raportoi Kyodo News.

Shumica e dëmeve u raportuan nga provincat Fukushima dhe Miyagi, bëri të ditur Ministria e Brendshme e vendit, duke shtuar se gati 71 shkolla u mbyllën të hënën për shkak të dëmtimit të ndërtesave.
Operacionet për kthimin në funksion të hekurudhave me shpejtësi të lartë dhe lokale janë pezulluar midis kryeqytetit Tokio dhe Japonisë verilindore, ndërsa gati 900 shtëpi janë ende pa ujë dhe tani po mbështeten nga Forca e Mbrojtjes Tokësore të Japonisë, e cila siguron cisterna uji.
Tërmeti goditi rajonin në një kohë kur bizneset po përpiqeshin për një rimëkëmbje pasi koronovirusi i ri (COVID-19) goditi ekonominë e vendit, e cila u tkurr me rreth 4,8 për qind në vitin 2020.
Kompanitë ajrore dhe autobusët e Japonisë njoftuan të hënën se do të rrisin shërbimet e tyre për t’u rilidhur me zonën e goditur nga tërmeti.
Parashikimi i motit nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë theksoi se vendi mund përjetoj reshje të mëdha të borës në bregdetin e Detit të Japonisë nga e marta deri në të enjten.


