Një ditë pas fitores historike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për agjensinë e lajmeve AFP, ku ndër të tjera ka folur edhe për dialogun me Serbinë.
Kurti është shprehur se dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve me Serbinë, për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta.
“Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për të mirë. Ne duhet të diskutojmë me Serbinë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtarë”, shprehet Albin Kurti.
Kurti shtoi se Beogradi premton njohjen e Kosovës në fund të negociatave, por kërkon koncesione maksimale ndërkohë.

“Ju merrni sa më shumë që mundeni, ndërsa premtoni një fund që nuk do të ndodhë. Kjo është arsyeja përse reciprociteti, barazia nuk mund të jetë rezultati përfundimtar (i bisedimeve), duhet të jetë pika fillestare. Dhe, njerëzit duhet të jenë përfituesit përfundimtarë”, thekson kreu i VV-së.
Megjithatë, Albin Kurti, tha se prioritet i qeverisë së tij nuk do të jenë bisedimet me Serbinë, por drejtësia dhe punësimi.
Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në bisedime të drejtpërdrejta për normalizimin e marrëdhënieve që prej vitit 2011.


