500 mjekë të spitaleve COVID19 në Kosovë do të marrin dozën e parë të vaksinës sot në Kukës. Marrëveshja u finalizua dje dhe sot, vaksinimi ka nisur me 250 mjekët e parë që do të marrin vaksinën, ndërsa nesër do të vaksinohet edhe pjesa tjetër.
Vaksinimi i mjekëve nga Kosova do të bëhet me AstraZeneca. Blerim Syla, kreu i Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës deklaroi sot se vaksinimi është përgatitur të nisë në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”. Në këtë fazë vaksinimi do të shkojë edhe kryeministri Edi Rama.
Për mediat lokale, disa nga mjekët e ardhur nga Kosova thonë se janë falenderuesë për mundësinë që iu është dhënë.
“Faleminderit që na kemi dhënë këtë ,mundësi ne, jemi shumë të kënaqur, vij nga Peja. Nuk kemi frikë. Faleminderit që na ka ardhur mundësia për ta marrë”
“Vij nga Prishtina, nuk kam frikë aspak”
“Ju falenderojmë, vij nga Urgjenca e Pejës, nuk kemi frikë fare, në luftë nuk kemi pasur frikë nuk kemi as tani”, tregojnë mjekët.
Kosova akoma nuk e ka nisur vaksinimin e bluzave të bardha. Kryeministri shqiptar Edi Rama premtoi se kur Shqipëria të merrte dozat e para nga Pfizer do të ndihmonte edhe Kosovën por ndalimi nga kompania solli shtyrje të procesit.
Po ashtu, një ngërç politik ndodhi në Kosovë kur Rama bëri thirrje që mjekët të vinin në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe drejtuesi Armend Zemaj hezituan të pranonin ndihmën e Shqipërisë, por një iniciativë direkte e sindikatës bëri që dy ministritë të lidheshin. Ndërkohë që Shqipëria e ka finalizuar vaksinimin e bluzave të bardha me dozën e parë.
Deri më tani janë kryer 41,321 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.


