Deputeti Myslim Murrizi reagoi ashpër në Kuvend dhe kërkoi hetim të menjëhershëm për mjekët e Vlorës, që i mbajtën për 70 ditë të fshehur vdekjen e një pacienti familjarëve të tij.
Murrizi tha se ajo që ka ndodhur është skandaloze, dhe kërkoi nisjen e menjëhershme të hetimeve nga ana e SPAK.
“Zonja ministre nuk e di se sa je e informuar për një ngjarje të transmetuar mbrëmë nga gazetarja Alketa Ceka. I ndjeri Luan Zeqiri në Vlorë ka ndërruar jetë më 6 janar ka humbur nëpër frigorifer për 70 ditë. I bëj thirrje SPAK të fillojë menjëherë hetimet për atë grup banditësh të veshur me bluza të bardha në Vlorë. Nuk ka më turp dhe krim se kur familjarët nuk dinin se ku e kanë të afërmin e tyre. Edhe e marrin pas 70 ditësh pasi u bë mediatike.
Kërkoj menjëherë hetimin e atyre mjekëve të Vlorës dhe të pseudo mjekëve të spitalit Infektiv, që na i keni sjellë si kandidatë. Nuk e di se si shtrohen, a janë me inventarë a jo. Nuk e di të them si bagëti, jo se edhe ata janë me inventar. Kërkoj hetimin e atij palaços në Vlorë, të drejtorisë së QSUT-së dhe të Infektivit për hedhjen e kufomës së të ndjerit”, tha Murrizi.
Rikujtojmë se dje emisioni BOOM ka denoncuar një skandal që zë fill nga Spitali i Vlorës. Anila Zeqiri shtron në spital babain në datën 27 dhjetor 2020 dhe kur kishin kaluar me shumë se dy muaj ajo ende nuk dinte se ku ndodhet babai i saj. Vetëm kur u bë mediatike familjarët morën përgjigje duke u thënë se i afërmi i tyre ka ndërruar jetë dhe prej 70 ditësh ndodhej në morg.
Pas ndjekjes që emisioni BOOM i bëri këtij rasti familjarët mundën të tërheqin trupin e të ndjerit nga morgu 70 ditë pasi kishte ndërruar jetë.


