Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se në Guinea është regjistruar rasti i parë i virusit Ebola në pothuajse 1 muaj pa asnjë rast të regjistruar të virusit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra rajonale e OBSH-së për Afrikën njoftoi se rasti u regjistrua në fshatin Soulouta të rajonit juglindor N’Zerekore, pasi asnjë rast i virusit nuk u regjistrua që nga 4 marsi, si dhe theksoi se vazhdon të mbështesë menaxhimin e rasteve, mbikëqyrjen dhe përpjekjet e angazhimit të komunitetit.
“Të pikëlluar pasi dëgjuam raportin e rastit të virusit Ebola në Guinea pas 27 ditësh pa asnjë rast të ri të konfirmuar. Ne qëndrojmë në gatishmëri të lartë, duke mbështetur në përpjekjet e mbikëqyrjes dhe gatishmërinë e autoriteteve shëndetësore në Guinea”, shkroi në Twitter Matshidiso Moeti, drejtor i OBSH-së për Afrikën.
Numri i rasteve të virusit Ebola në Guinea ka arritur në 19, përfshirë tetë vdekje të regjistruar.
Më 24 mars, OBSH njoftoi shërimin e pacientit të fundit me Ebola në Guinea dhe që nga ajo kohë nuk është regjistruar asnjë rast i ri i virusit.
Më 14 shkurt, autoritetet shëndetësore të vendit njoftuan një ringjallje të sëmundjes së virusit Ebola në fshatin N’Zerekore.
Në përgjigje të ringjalljes, më 23 shkurt filloi një fushatë vaksinimi pas shpërndarjes së 11 mijë dozave të vaksinës Zebrov.
Mbi 3.200 persona, përfshirë 529 kontakte, u vaksinuan në kuadër të fushatës.
Guinea është një nga tre vendet më të prekura nga shpërthimi i virusit Ebola në Afrikën Perëndimore në vitet 2014-2016, shpërthim më i madh që kur virusi u zbulua për herë të parë në vitin 1976.
Sëmundja shkaktoi alarm global në vitin 2014, duke lënë të vdekur mbi 11.300 persona dhe duke infektuar rreth 28.600 të tjerë. Gjatë rrjedhës së epidemisë, vendet që u përfshin ishin Guinea, Liberia dhe Sierra Leone.
Ebola, ethe tropikale që për herë të parë u shfaqën në vitin 1976 në Sudan dhe Republikën Demokratike të Kongos, transmetohet tek njerëzit nga kafshët e egra.


