Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, tha se marrëdhëniet ndërmjet Islamit dhe Perëndimit datojnë nga e kaluara dhe se sot janë të ndikuara shumë nga pikëpamjet e shtrembëruara ndaj Islamit.
Kalin, i cili gjendet në vizitë zyrtare në Sarajevë, mbajti ligjëratë në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, ku foli për marrëdhëniet midis Islamit dhe Perëndimit në shekullin e 21-të.
Duke rikujtuar se si shumë qarqe në Perëndim e akuzojnë Islamin për diskriminim të gjinisë femrore, Kalın bëri thirrje për kthim në burimet origjinale të Islamit dhe shtoi se Kurani flet për gratë shumë më ndryshe nga ajo që kritikuesit ia mveshin kësaj feje.
Kalin gjithashtu vuri në dukje se pikëpamjet e shtrembëruara ndaj Islamit prodhojnë stereotipa përmes të cilave edhe tani shihen Islami dhe muslimanët në Perëndim.
Duke theksuar se prodhimi hollivudian vazhdimisht i lidh muslimanët me dhunën dhe pabarazinë gjinore, Kalin tha se pikërisht kjo krijon pikëpamje dhe mendime të shtrembëruara rreth Islamit dhe muslimanëve.
“Muslimanët në pjesën jugore të Europës erdhën dhe qëndruan për 700 vjet, që është dy herë më shumë sesa ekzistimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Kalın.
Ai tha se shumë njerëz në Perëndim thonë se edhe muslimanët boshnjakë nuk i përkasin Evropës, duke shtuar se ky qark duhet të kujtojë historinë evropiane dhe të kuptojë se muslimanët boshnjakë janë pjesë e kontinentit evropian.
“Kur shohim hulumtimet akademike që janë kryer në Perëndim për osmanët, shohim se 90 përqind e këtyre punimeve kanë të bëjnë me segmentet ushtarake dhe politike të asaj periudhe historike. Arti osman, kultura, arsimi, arsimi, shkenca dhe teknologjia osmane rrallëherë janë temë e hulumtimit”, tha Kalin.
Zëdhënësi i presidencës turke tha se Perëndimi shpesh i paragjykon muslimanët dhe i konsideron ata intelektualisht inferiorë dhe të paaftë për të prodhuar, duke i akuzuar për vjedhje të artit të krishterë ose ndonjë arti dhe kulture tjetër.
“Vendet muslimane nuk janë më të pasurat në botë, nuk kanë as ushtritë më të fuqishme në botë, nuk prodhojnë armë të shkatërrimit në masë. Mendoj se vetëm një vend musliman ka bombë atomike. Vendet muslimane nuk kanë teknologjitë më të zhvilluara ushtarake, por, në njëfarë mënyrë, muslimanët i paraqesin çdo ditë si kërcënimi më i madh”, tha Kalın.
Duke theksuar se kërcënimet më të mëdha për paqen në botë vijnë në të vërtetë nga Perëndimi, Kalın tha se Perëndimi ka ushtritë më të forta, bomba atomike dhe kontrollon ekonominë botërore.
“Zoti e ka krijuar pasurinë e diversitetit në botë. Kemi ngjyra, raca, grupe etnike, ide dhe pikëpamje të ndryshme. Luftrat e panevojshme në botë mund t’i ndalojmë nëse gjejmë balancë mes unitetit dhe diversitetit brenda shoqërisë”, u shpreh Kalin.
Në fund, Kalin tha se Islami dhe Perëndimi nuk duhet të jenë në konflikt gjithmonë, por se Andaluzia është shembull se bashkëjetesa është e mundur dhe se ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga njëri-tjetri./Rtv islam/


