Edhe mbledhja e sotme e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve është shoqëruar me debate të forta. Shkak u bënë deklaratat e nënkomisioneres zgjedhore, Lealba Pelinku, e cila ishte ftuar në mbledhje për t’u përgjigjur në lidhje me rastet e dyshimta nga identifikimi elektronik në Gjirokastër me votimin e dyfishtë. Pelinku u shpreh se janë dy persona me të njëjtin identitet që kanë votuar dy herë në Gjirokastër. Sipas saj, këta persona rezultojnë të jenë nga administrata zgjedhore e Qendrave të Votimit pasi “është zgjedhur opsioni administratë zgjedhore” kur është përdorur pajisja PEI.
Duke u përgjigjur për 70 raste të tjera të dyshuara në Gjirokastër, Pelinku tha se nevojiten hetime të thelluara nga prokuroria. “KQZ-ja në këtë fazë nuk mundet dhe të verifikojë se cilit person i takon ajo shenjë gishti. Kjo duhet të jetë objekt i një hetimi në vëzhgim, për të verifikuar nga materialet e video regjistrimit në mënyrë të saktë se cilit i takon ajo”, tha ajo.
Pelinku tha se vetë operatorët që janë marrë me pajisjen PEI ditën e zgjedhjeve kanë bërë me dije se kanë pasur probleme me identifikimin e gishtërinjve sidomos në mosha madhore. Ajo u shpreh se për të përshpejtuar procesin operatorët kanë vendosur vetë gishtin edhe pse në shkelje të protokollit. “Nga vetë operatorët i është bërë me dije se kanë pasur vështirësi në marrjen e shenjave kryesisht të moshuarve në moshë të madhe. Për të përshpejtuar procesin kanë vendosur vetë me vendosjen e gishtit. Ky është informacion që na ka ardhur në rrugë telefonike ditën e zgjedhjeve”, tha Pelinku.
Por kjo dëshmi e Pelinkut është shoqëruar më pas me debate në KAS mes anëtarëve dhe përfaqësuesve ligjorë. Shkak u bënë pyetjet e Ilirjan Rusmajlit “Mos merrni zjarr kot se po krijohet përshtypja se çfarë po ndodh. Nuk po ndodh asgjë. Po kërkohet të çmohet vlera e provës. Ju keni përballë sot dokument dhe thënie dëshmitari kontradiktorë me njëri tjetrin”, tha Rusmajli duke iu drejtues përfaqësuesit ligjor të LSI-së, Altin Kaziaj.
Nga ana tjetër, ky i fundit tha se KAS nuk mund të kthehet në organ hetimor. “Ju e dini pozicioni e komisioneres, kështu që mos ta kthejmë në organ hetimor”, tha Kaziaj.


